Chelsea nuk shfrytëzoi dot faktorin Stamford Bridge dhe formën shumë të dobët që po kalon Manchester United në Premier League për të marrë fitoren e radhës. Superndeshja e javës së 13-të të Premier League u mbyll në një barazim 1-1 me Chelsean që gjithsesi ruajti kreun e renditjes, por tashmë me vetëm një pikë avantazh nga Manchester City dhe dy nga Liverpooli.
Në “Stamford Bridge”, blutë e Londrës kishin diçka më shumë se United, pavarësisht mungesave të emrave të mëdhenj si Kante, Kovacic, Chillwell apo edhe Lukaku që ishte në stol dhe hyri në fushë vetëm pak minuta në fund. Gjithsesi skuadra e Tuchel nuk konkretizoi rastet që iu paraqitën në fraksionin e parë të lojës edhe pse goditi edhe një traversë.
Në pjesën e dytë ishte United që surprizoi Chelsean me Jadon Sanchon që shënoi pas një kundërsulmi të shpejtë golin e tij të parë në Premier League me Djajtë e Kuq dhe njëkohësisht golin që zhbllokoi shifrat në minutën e 50-të. Gjithsesi Chelsea nuk u dorëzua dhe arriti të barazonte shifrat me Jorginhon që kthehu në gol një penallti të fituar nga Thiago Silva në minutën e 69-të.
Deri në fund Blutë e Londrës tentuan me të gjitha mënyrat për ta fituar ndeshjen por Timo Werner humbi dy mundësi të mira përpara se Rudiger në aksionin e fundit të godiste mbi tra i lirë në qendër të zonës. Rezultati i dytë pozitiv radhazi për Michael Carrik në stolin e United që e aktivizoi vetëm në minutën e 64-t Cristiano Ronaldon në këtë sfidë me portugezin që nuk arriti të linte shenjë.
City fiton dhe i bën presion Chelsea-t
Manchester City triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj West Hamit në “Etihad Stadium”, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi në kampionat.
Nën reshjet e dëborës, skuadra e Pep Guardiolës vuajti jo pak për të zhbllokuar ndeshjen dhe gjeti avantazhin në minutën e 33-të me anë të Ilkay Gundogan, që konfirmohet sërish si bomberi i “citizens”.
Në minutën e 90’ ishte mesfushori brazilian Fernandinho që mbylli llogaritë e ndeshjes, duke shënuar edhe golin e dytë për Man. City-n, ndërsa londinezët e West Ham shënuan golin e vetëm me Lanzinin, pak sekonda para vërshëllimës finale.
Vlen të përmendet se Manchester City-t i janë anuluar dy gola gjatë kësaj pasditeje, për pozicion jashtë loje, konkretisht të Mahrez në minutën e 17’ dhe Bernardo Silva në minutën e parë shtesë.
Rikthehet te fitorja Leicester, që triumfoi me rezultatin 4-2 ndaj Watfordit të Claudio Ranierit. Maddison ishte protagonist absolut në këtë takim, pasi shënoi golin e parë dhe asistoi dy të tjerët, të cilët u shënuan nga Jammie Vardy, ndërsa goli i katërt pati për autor Lookman.
Në sfidën tjetër këtë pasdite, Brentford mposhti Evertonin me rezultatin minimal 1-0, ndërsa përballja mes Burnleyt dhe Tottenhamit nuk u luajt për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, që kishin mbuluar fushën e blertë.