Bota Shtetet europiane ku është zbuluar varianti i ri i Covid deri tani

Shtetet europiane ku është zbuluar varianti i ri i Covid deri tani

OBSH e përcaktoi variantin e ri si një “variant që përbën shqetësim”, duke e quajtur “Omicron”, sipas një shkronje të alfabetit grek. OBSH tha se “provat paraprake sugjerojnë një rrezik të shtuar riinfektimi me këtë variant”, krahasuar me variantet e tjera. Kjo do të thotë që ata persona që janë infektuar e shëruar nga Covid-19 mund të infektohet sërish.

Shtetet e Bashkimit Europian kanë mbyllur kufijtë për të gjithë udhëtarët nga 7 shtete të Afrikës jugore – Botsuana, Esuatini, Lesotho, Mozambik, Namibia, Afrika e Jugut dhe Zimbabve.

Të tjera shtete që kanë vendosur masa shtrënguese ndaj udhëtarëve nga Afrika jugore janë Kanadaja dhe SHBA.

Kjo është lista e vendeve në Europë, ku është shfaqur varianti i ri i virusit të COVID-19, deri sot:

Holanda

Autoritetet holandeze të shëndetit publik konfirmuan këtë të diel, se 13 persona të ardhur në Holandë me anë të fluturimeve nga Afrika e Jugut ditën e premte, ishin testuar dhe kanë dalë pozitiv ndaj variantit të ri të koronavirusit – Omicron.

Këta persona janë vendosur menjëherë në izolim në një hotel pranë aeroportit Schiphol, ndërkohë që Holanda ka futur në fuqi ndalimin e të gjithë fluturimeve nga ky rajon.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore i bëjnë thirrje të gjithë udhëtarëve që kanë ardhur nga Afrika jugore për në Europë javët e fundit, të testohen sa më parë për të evituar përhapjen e mëtejshme të këtij varianti.

Mbretëria e Bashkuar

Tre raste pozitive janë zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar, të lidhura gjithashtu me fluturime nga Afrika jugore.

Infeksionet me këtë variant të ri, i cili sipas të dhënave paraprake sugjeron se mund të jetë më ngjitës dhe më rezistent ndaj trajtimeve të deritanishme, përfshi vaksinat, ka shtyrë kryeministrin anglez, Boris Johnson të bëj një dalje publike dhe të shtrëngojë masat për udhëtimet hyrëse në Angli.

“Nuk do të ndalojmë askënd të udhëtojë, por do t’i kërkojmë kujtdo që hynë në Mbretërinë e Bashkuar të bëj një test PCR deri në fund të ditës së dytë pas mbërritjes së tyre si dhe të vetë-izolohen deri sa të marrin një përgjigje testi negative,” – tha Johnson gjatë një konference për shtyp ditën e shtunë.

Gjermania

Dy raste të tjera me Omicron janë raportuar gjatë ditës së shtunë nga ministria e shëndetit në Bavari. Të dy rastet e infektuara po ktheheshin nga Afrika e Jugut më 24 nëntor dhe janë vendosur në vetë-izolim.

Italia

Autoritetet italiane njoftuan gjithashtu mbrëmjen e të shtunës se kishin zbuluar rastin e parë me variantin Omicron, nga një person qe ishte kthyer së fundmi nga Mozambiku.

“Pacienti dhe anëtarët e tij të familjes gëzojnë shëndet të mirë,” – thanë autoritetet italiane.

Republika Çeke

Republika Çeke ka zbuluar gjithashtu rastin e parë të variantit të ri të COVID-19. Gruaja mbartëse është hospitalizuar me simptoma të lehta, në qytetin Liberec, në veri të vendit.

Belgjika

Belgjika ishte vendi i parë në Bashkimin Europian që raportojë një rast me Omicron, të një udhëtari që po kthehej nga Egjipti.