Për shkak të motit të keq janë paraqitur disa problematika në zona të ndryshme të vendit. Kreu i emergjencave Civile, Haki Çako, ka sqaruar gjatë se situata në përgjithësi është nën kontroll.
Më shqetësuese mbetet ajo në zonën e Dibrës, por edhe në Rrugën e Kombit. Çako ka thënë se në Rrugën e Arbrit ka pasur një tendencë fluksi makinash, por operatorët kanë marrë masat e nevojshme.
“Situata në përgjithësi është nën kontroll. Akset më shqetësuese mbeten ato të zonës së Dibrës, por edhe rruga e Kombit, e cila ka filluar një reshje e lehtë dëbore. Po punohet me operatorët për të siguruar lëvizjen e lirë të tyre. Më duhet të sqaroj edhe çështjen e bllokimit të Rrugës së Arbrit ku ka pasur një tendencë pas hapjes për t’u dyndur drejt kësaj rruge. Aktualisht janë marrë të gjitha masat, janë dërguar të gjitha mjetet, që janë të operatorit për të zhbllokuar situatën, pasi ka filluar dëbora. Po zhbllokohet situata, janë borëpastrueset aty dhe mjetet e tjera. Janë marrë masat në të dy krahët”, tha Çako.
Deri më tani sipas Çakos, të gjitha akset nacionale janë të kalueshme. Haki Çako u bëri thirrje shoferëve që të bëjnë kujdes pasi do të ketë vazhdim të reshjeve të shiut.