Politika “Firmosën me teken e rakisë para”/ Gaz Bardhi: Mos u besoni sajesave,...

“Firmosën me teken e rakisë para”/ Gaz Bardhi: Mos u besoni sajesave, duan të na përçajnë

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka bërë një reagim në rrjetet sociale duke i cilësuar të shtrembëruara deklaratat e tij në një studio televizive. Bëhet fjalë për një deklaratë ku Bardhi ka përmendur fjalët e një kryetari dege sipas të cilit shumë nga demokratët nuk e dinë se çfarë kanë firmosur kur u është vënë përpara formulari për Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha.

“Po ju dëshmoj një tjetër pohim të një kryetari dege, që është bashkuar me lëvizjen e Berishës, në mbledhjen me 70 kryetarë degësh. Në degën time tha kanë firmosur 60% të delegatëve. Por tha, këto 60% nuk dinë çfarë kanë firmosur sepse iu është vënë një teke raki përpara. Kanë kthyer teken e rakisë dhe kanë hedhur firmë pa e ditur fare, 20% kanë firmosur për hatër se iu është kujtuar që të kemi punësuar këtu, ke qenë drejtor, etj…”, – citohet të ketë thënë Gazment Bardhi në ‘Real Story’.

Por “numri 2” i demokratëve thotë se kjo deklaratë e tij është kepërdorur dhe keqinterpretuar.

“Pas sajesave të ulëta ndaj Kryetarit të PD për gjoja fyerje ndaj anëtarëve të Partisë, prej disa ditëve kanë nisur të njëjtat sajesa ndaj meje, duke më vënë në gojë fjalë që nuk i kam thënë dhe nuk do t’i thoja kurrë për demokratët. Deklaratat e mia janë publike dhe në të njëjtin lajm të sajuar keq, kushdo mund të dëgjojë çfarë kam thënë për të kuptuar që titulli i lajmit është thjesht një gënjeshtër” –shkruan ndër të tjera Bardhi në Facebook që nuk i kursen akuzat për mbështetësit e Berishës.

“Këtë e bëjnë të njëjtët individë që anëtarët e partisë dhe votuesit e Partisë Demokratike i kanë parë vetëm si mundësi për pushtet personal, për të shtuar mirëqenien dhe pasurinë e tyre.

Janë të njëjtët që demokratët e vërtetë, që kanë sakrifikuar për PD pa marrë kurrë asgjë në këmbim, i kanë lënë prej 30 viteve pas derës, në varfëri ekstreme, që nuk iu gjendën kurrë, kur kishin një problem, që i lanë pa ua legalizuar shtëpitë, pa u dhënë hipotekën e banesës, pa u dhënë dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, pa u kthyer pronat, që i sillnin vërdallë me muaj apo vite për një vend pune.

Kjo kategori është më e zjarrta për nxitjen e perçarjes mes demokratëve. Jam i bindur se mes nesh nuk do të triumfojë dëshpërimi, hakmarrja, inatet, përçarja” – shkruan Bardhi që bën edhe një herë thirrje për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në 18 dhjetor.