Sport Leo Messi fiton për herë të shtatë Topin e Artë

Leo Messi fiton për herë të shtatë Topin e Artë

Argjentinasi ka fituar edicionin e 65 të Topit të Artë, duke u konfirmuar si dominuesi absolut i këtij çmimi: janë 7 për të, dy më shumë se rivali i përjetshëm Ronaldo. Por polemikat kanë nisur. Shumë thonë se çmimi për të nuk është i merituar, pasi e meritonte Lewandowski

Lionel Messi fiton sërish Topin e Artë, për herë të 7-të në karrierë duke u bërë kështu edhe një nga të mëdhenjtë e historisë së futbollit.

Me një diferencë fare të ngushtë pikësh, ylli argjentinas mposhti konkurrencën e Robert Lewandowskit duke e thelluar në dy trofe avantazhin ndaj rivalit të tij të madh Cristiano Ronaldo përsa i përket Topit të Artë.

Polemikat

E besoni apo jo edhe në vitin që fitoi vetëm Kupën e Mbretit me Barcelonën dhe Copa American me Argjentinën, Messit iu dha sërish Topi i Artë edhe pse Lewandowski që u rendit i dyti ka bërë një sezon më të mirë, ndërkohë që Jorginho që edhe pse fitoi Championsin me Chelsea-n dhe kampionatin europian me Italinë u mjaftua vetëm me vendin e 3-të.

Falënderon shokët e kombëtares

Shumë i lumtur Messi për fitoi e këtij çmimi për herë të 7-të në karrierë duke falenderuar shokët e skuadrës sidomos te Argjentina por edhe te Barcelona, ndërsa theksoi se Topin e Artë vitin e kaluar e meritonte më shumë Robert Lewandowski, kjo edhe për faktin se ky trofe nuk u dha në 2020-ën.

“Është e pabesueshme që jam sërish këtu. Para dy vitesh thashë që këto janë vitet e mia të fundit të karrierës dhe tani jam përsëri këtu. Jam shumë i lumtur dhe me dëshirë për të përballuar sfida të reja”, tha në fjalën e tij Messi.

“Dua të falënderoj shokët e mi te Barcelona, te PSG, por veçanërisht shokët te kombëtarja argjentinase. Më mungonte diçka dhe këtë vit arrita ta fitoj (trofeu i parë me Argjentinën). Ky Top i Artë vjen për mua për shkak të asaj që arritëm së bashku me Argjentinën, kështu që ia dedikoj shokëve të kombëtares”, shtoi Messi.

Në fund të fjalës së tij, argjentinasi nuk harroi as Robert Lewandowskin: “Është nder i madh për mua që konkurrova me Robert. Vitin e kaluar ti ishe fituesi i këtij çmimi dhe mendoj se duhet të ta jepnin”.

Trofeu Messit iu dorëzua nga ish-shoku i skuadrës te Barça, Luis Suarez. Vetëm vendi i 10-të për Donnarumman, ndërkohë që Mbappe u rendit i 9-ti, De Bruyne i 8-ti dhe Salah i 7-ti, për të vijuar me Cristiano Ronaldon në vendin e 6-të dhe dy Kante e Benzema në vendet 5 dhe 4.

Çmimet e tjera

Çmimin “Kopa” si lojtari i ri më i mirë i vitit e mori mesfushori i Barcelonës, Pedri, i cili la pas lojtarin e Borussia Dortmund, Jude Bellingham dhe atë të Bayern Munchen, Jamal Musiala.

Robert Lewandowski fitoi çmimin e sulmuesit më të mirë të vitit, çmim që revista “France Football” e jep për herë të parë këtë vit.

Gianluigi Donnarumma fitoi çmimin Yashin, si portieri më i mirë i vitit.

Chelsea u shpall ekipi i vitit, një tjetër çmim që “France Football” e jep për herë të parë.

Fituesja e Topit të Artë për femra është Alexia Putellas, futbolliste e Barcelonës.