“Është një nder për mua që luftova me Lewandowskin. Besoj se ai e meriton ‘Topin e Artë’, vitin e kaluar të gjithë ishin dakord se fituesi ishte ai. ‘France Football’ duhet t’ia njohë të gjitha meritat që i takojnë”, – deklaroi Messi pas fitimit të “Topit të Artë” të shtatë në karrierë, duke komplimentuar sulmuesin polak.
Vendimi për të kurorëzuar argjentinasin është shoqëruar me polemika të mëdha në fakt, jo vetëm në rrjetet sociale, ku dominon gjykimi se Robert Levandovski është vjedhur sa i takon çmimit prestigjioz. Shumica e lidhin vlerësimin e Messit me faktin se ai është tashmë lojtar i PSG-së, pasi këtë vit nuk ka bërë aq sa për ta merituar çmimin, edhe pse fitoi me Argjentinën.
Në Gjermani shtypi, me në krye “Bild”, e ka quajtur një vjedhje të hapur ndaj Lewandowskit dhe një skandal. Polaku po vendos rekorde të njëpasnjëshme me golat e tij dhe sipas gazetës gjermane, meritonte “Topin e Artë”. Lewandovwki mori 580 vota, ndaj 613 të Mesit.
Edhe shumë personalitete të futbollit botëror, ish-lojtarë dhe ish-trajnerë, janë të mendimit se çmimi i takonte sulmuesit të Polonisë dhe Bajernit.
“Askush nuk e meritonte më shumë se Leva Topin e Artë”
Edhe Lothar Matthaus ka kritikuar France Football për faktin se Topi i Artë për vitin 2021, iu dha Lionel Messit dhe jo Robert Lewandowskit. Ish-legjenda e kombëtares gjermane, Bayern Munich dhe Interit në një intervistë është shprehur se nuk e përtyp dot faktin që këtë çmim prestigjioz nuk e fitoi Leva i cili e meritonte më shumë se kushdo tjetër.
“Të jem i sinqertë nuk e kuptoj më botën pas kësaj ceremonie. Me gjithë respektin për Lionel Mesin dhe të gjithë lojtarët që ishin nominuar me meritë për arritjet e tyre, askush nuk e meritonte më shumë Topin e Artë sesa Robert Lewandowski. France Football nuk e zhvilloi fare në vitin e kaluar këtë ceremoni duke anashkaluar gjithçka që kishte fituar Leva me Bayernin. Ai nuk kishte asnjë lojtar që mund ta konkurronte. Por dhe nëse i referohemi 2021-shit, Leva ishte më i mirë se të gjithë. Ai theu rekordin e Gerd Mylerit dhe shkëlqeu me Bayernin, ashtu si dhe me kombëtaren polake. Është e vërtetë që Messi fitoi Kupën e Amerikës, por me Parisin është një zhgënjim i madh.
Benzema bëri gjithashtu një sezon perfekt, por me Realin nuk fitoi asgjë. Salah ishte i magjishëm si gjithmonë, Jorghinho fitoi Europianin me Italinë ashtu dhe Champions-in me Çelsin. Ronaldo nuk ishte gjithashtu konstant si Leva. Që Robert nuk fitoi, është për mua e pafalshme.”