Një udhëtim si në legjendë gjysmë qiellor e gjysmë tokësor e cilësoi ish-kryeministri Sali Berisha udhëtimin e tij për në vendlindje, ndërsa takimin me demokratët e Tropojës e konsideroi në një moment kritik për vendin. Ai ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, që sipas tij në këto 8 vite ka diskriminuar veriun e Shqipërisë, ndërsa një përgjigje e ka edhe për ata që thonë se po nxit përçarje.
“Jemi mbledhur sot në moment kritik për vendin ku 8 vite më radhë Shqipëria ka kaluar nga një rekord i zi në një tjetër, nga një skandal në një skandal. Në 8 vite veriu i Shqipërisë u diskriminua më shumë se 8 vite të çdo pushtuesi ndër vite. Edi Rama një armik i egër i qenies shqiptare iu vuri taksën te rRruga e Kombit. 20 vite diferencë me qarkun e Tiranës paguan taksë, ua vuri vizën ju, kurse shqiptarët qarkullojnë pa taksa në territor, i vuri taksë Veriut dhe Kosovës. Atyre që më thonë po nxit përçarje, unë u them se unë nuk po nxit përçarje, por po e luftoj përçarjen dhe po bëj gjithçka që shqiptarët të jenë të bashkuar. Në këto 5 vite vendi po shkretohet”.
Por më dramatike Berisha konsideroi çështjen kombëtare, ku edhe këtu nuk kurse akuzat ndaj kryeministrit Rama, i cili sipas tij po bën gjithçka që të vendosë Shqipërinë në dominimin e Serbisë me një projekt serbo-rus, duke rrethuar Kosovën në armiqësi.
“Më dramatike është çështja kombëtare. Edi Rama njësoj si Enver Hoxha i kapur peng nga Beogradi po bën gjithçka të vendosë Shqipërinë në dominimin e Serbisë me një projekt serbo-rus, Ballkani i Hapur ka rrethuar Kosovën në darë armiqësore, ku në armiqësi prin njëlloj Beogradi si Tirana dhe në takime lëshon rrufe kundër udhëheqësve të Kosovës”.
Sipas tij, Rama në 8 vite qeverisje nuk ka mundur të bindë asnjë shtet që të njohë Kosovën, por ka mbështetur akuzat e Sllobodanit ndaj saj.
“Nuk ka bindur dot një vend të vetëm të njohë Kosovën. Me sulme si etërit e tij ndaj Kosovës dhe është përpjekur të mbështesë akuzat e Sllobodanit ndaj saj”.
Duke e konsideruar Ballkanin e Hapur një projekt armiqësor ndaj shqiptarëve, Berisha i çoi sërish mesazh presidentit serb se Ballkani i hapur nuk do të kalojë në Shqipëri me firmën e Ramës në kurriz të Kosovës. Ai i bëri gjithashtu apel Vuçiçit që të njohë gjenocidin serb ndaj shqiptarëve.
“Ballkani i hapur është projekt armiqësor ndaj shqiptarëve, ka vetëm një qëllim ndarjen e Kosovës shndërrimin e Maqedonisë e Shqipërisë në zona absolute të hegjemonizmit serb. A do t’i pranojmë ne këto? Kurrën e kurrës! Nga kjo platformë do t’i çoj një mesazh Sllobodanit të ri: Hiqe nga mendja se do të kalojë Ballkani i Hapur në Shqipëri me firmën e Edi Ramës! Mendohu mirë, mendohu shumë herë para se të vizitosh Tiranën si mik i Ramës se një popull i tërë do të jetë në rrugë kundra teje. Ne jemi dhe do të punojmë për marrëdhënie normale, po jo kurrë në kurriz të Kosovës. Ai kërcënon Kosovën. Ditën që parlamenti duartrokiste fjalën e zografit për fjalën antishqiptare, puthej e plluqej Putini e Vuçiç dhe tema e diskutimit ishte Kosova e veriut, armët dhe tanket. Kosova është në mbrojtjen e NATO-s dhe çdo përpjekje e tij do t’ia kthejë ushtrinë në kocka dhe armët në hekurishte. Harroje se mund të prekësh Kosovën dhe kurrë më nuk mund të prekësh një pjesë të territorit të saj. Në do bashkëpunim; të njohësh gjenocidin ciklik ndaj shqiptarëve. Ndërsa Edi Rama zotohet të firmosë marrëveshje pa dogana me Serbinë dhe nuk e bën këtë me Kosovën”.