Vendet anëtare të Aleancës ranë dakord të vazhdojnë praninë e tyre në Ballkan ku kohët e fundit janë parë tensione dhe ndërhyrje nga aktorë të jashtëm, që duan të dëmtojnë arritjet në rajon, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në përmbyllje të takimit dyditësh të ministrave të Jashtëm të 30 vendeve anëtare të NATO-s, që u mbajt në Rigë të Letonisë, ai tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve të 90-ta.
“Kohët e fundit kemi parë rritje tensionesh përfshirë Kosovën, si dhe Bosnjën e Hercegovinën, me retorikë më agresive, reforma të ngecura dhe aktorë të huaj që punojnë për të dëmtuar progresin e bërë”, tha ai, duke theksuar se NATO-ja do të vazhdojë të nxisë qëndrueshmërinë, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon.
“Në ramë dakord për rëndësinë e pranisë sonë, përfshirë misionin tonë të KFOR-it në Kosovë dhe zyrat tona në Sarajevë dhe në Beograd”, tha Stoltenberg.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi me Bashkimin Evropian mbetet thelbësor.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe për të mbështetur reformat”, theksoi ai.