Kancelari austriak Alexander Schallenberg deklaroi se do të japë dorëheqjen, më pak se dy muaj pas inaugurimit të tij dhe disa orë pasi paraardhësi i tij i përfshirë nga skandali, Sebastian Kurz, njoftoi largimin nga politika.
Dorëheqja e politikanit konservator Schallenberg paralajmëron trazira të mëtejshme në krye të politikës austriake, dhe në veçanti për Partinë Popullore Austriake konservatore.
“Unë besoj fuqishëm se të dy postet, kreu i qeverisë dhe lideri i partisë duhet të mbahen sërish nga i njëjti person. Prandaj po e vë në dispozicion postin tim si kancelar sapo të jetë vendosur kursi përkatës brenda partisë”, tha Schallenberg në një deklaratë me shkrim.
Mediat austriake kanë paralajmëruar se një kandidat i mundshëm për këtë është ministri i Brendshëm Karl Nehammer.
Ministri i Jashtëm Schallenberg u bë kancelar austriak më 11 tetor pas dorëheqjes së Kurz.
Kurz, i dyshuar për korrupsion tha se do të japë dorëheqjen si kreu i partisë dhe kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, duke deklaruar kështu tërheqjen nga politika.
35-vjeçari po hetohet nga Prokuroria Publike për Çështjet Ekonomike dhe Korrupsionin. Ai dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë politikë dyshohen nga prokuroria se kanë publikuar në media sondazhe të manipuluara.
Për këtë qëllim thuhet se janë shpërdorur fonde publike por Kurz i mohon këto akuza. Në mesin e Nëntorit, parlamenti austriak votoi për heqjen e imunitetit të ish-Kancelarit.