Dy aeroplanë nga aeroporti i Sofjes zbarkuan këtë të premte në Aeroportin e Shkupit në Maqedoninë e Veriut me 45 trupat e pajetë të aksidentit tragjik të ndodhur në Bullgari.
Procesi i identifikimit të tyre përfundoi një ditë më parë, ndërsa sot familjarët do të marrin trupat e pajetë nga aeroporti.
Ata kanë refuzuar homazhet që ishin planifikuar të bëheshin në kryeqytetin maqedonas, me marshimin drejt sheshit “Skëndërbeu” dhe kanë kërkuar që t’i marrin menjëherë nga aeroporti viktimat.
Pjesë e ceremonisë janë zyrtarë të lartë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, si presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi, ministrja e Ekonomisë së Kosovës Rozeta Hajdari e të tjerë.
Në procesin shumëditor dhe të vështirë të identifikimit, duke përdorur metodën e ADN-së, morën pjesë specialistë dhe profesorë të Mjekësisë Ligjore nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Mes 45 të vdekurve janë 12 fëmijë.
Deri më sot nuk ka asnjë konstatim zyrtar se pse zjarri në autobusin në lëvizje u shkaktua dhe u përhap aq shpejt sa shumica dërrmuese e pasagjerëve vdiqën tragjikisht.
Aksidenti i rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të datës 23 nëntor në autostradën Struma në jugperëndim të Bullgarisë, në afërsi të qytetit të Pernikut.
Autobusi me 52 pasagjerë ishte nisur nga Stambolli dhe po kthehej në Shkup. Viktimat dhe 7 personat e mbijetuar kishin qenë për një vizitë tre ditore në Stamboll. Të mbijetuarit kanë arritur të shpëtojnë falë ndërhyrjes së një shqiptari nga Presheva, i cili ka thyer xhamin dhe ka ndihmuar të dalin nga mjeti personat që ndodheshin pranë tij.