Sipas stafit të infermiereve që përditë injektojnë vaksinën kundër pandemisë qindra pacientëve, personi që i la me gojë të hapur ishte i buzëqeshur, si rrallë herë ndodh.
Një burrë 57-vjeçar, i veshur mirë, që zbuloi krahun e tij gati për t’u vaksinuar. Por diçka nuk shkonte. “Mu duk menjëherë që krahu ishte ndryshe, por kur e kuptova mbeta pafjalë”, tregon infermierja Filippa Bua në Biella të Italisë, që zbuloi një person që kishte ardhur me një krah prej silikoni, ku sipas tij do të duhej të injektohej vaksina.
Personi me fantazi dhe kurajë pothuajse groteske u identifikua si Guido Russo, një stomatolog që kishte mbetur i papunë muaj më parë pikërisht sepse refuzonte vaksinën, dhe sipas ligjit nuk mund të ushtronte më.
“Më duhej të punoj, u detyrova”, i tha stomatologu forcave të rendit, për të justifikuar aktin e çmendur dhe i palogjikshëm, nga momenti që, sipas fjalëve të vetë infermieres, “çdo profesionist i sektorit do ta dallonte lehtësisht rrengun”.
Por infermierja shton edhe frustrimin e saj, për klimën që po krijohet në Itali në radhët e vaksinimit. “Jam shumë e stresuar, javët e fundit, është rritur ndjeshëm numri i atyre që vijnë të mërzitur sepse ndihen të shtrënguar të vaksinohen, dhe shfryhen ndaj nesh. Nuk kuptojnë se vaksina është domosdoshme për ta dhe familjarët e tyre”.