Nga Entela Resuli
Avokatin italian Fabio Schino do e njihnin vetëm klientët e tij, nëse nuk do të kishte mbrojtur çështjen gjyqësore të Ismail Morinës i njohur me pseudonimin “Ballisti”.
Ky i fundit, me veprimin e tij, bëri që mbrëmja e 14 tetorit 2014, teksa luhej ndeshja Serbi-Shqipëri në Beograd, të mbahej mend gjatë. Në minutën e 41-të, të ndeshjes ai ngriti një dron në ajër me një banderolë ku ishin imazhet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, si dhe një hartë e Shqipërisë përpara ndarjes nga Konferenca e Londrës.
Kjo pamje bëri që futbollistët në fushë të përplaseshin, e më pas përplasja doli jashtë saj. Avokat Schino, ishte ai që ndaloi ekstradimin e Morinës në Serbi. Përtej kësaj çështje ne kemi folur me avokatin mbi punën e tij, se si i njeh ai shqiptarët dhe si ka ndryshuar imazhi i tyre në këto vite në Itali.
Përpos lidhjeve me klientët, Shqipëria është një nga vendet e tij të preferuara, ai i kalon pushimet në jug të vendit tonë. Më poshtë një intervistë botuar sot në Dita me avokatin Fabio Schino.
Avokat Schino, ju prej kohësh keni marrëdhënie pune me klientë shqiptarë, si është për ju të punoni me ne, kemi ndryshim nga italianët?
Puna me shqiptarët është shumë e këndshme, sepse në krahasim me italianët, ata respektojnë më shumë figurën e avokatit dhe ato që janë mendimet e mia në fushën juridike.
Shqiptarët kanë shumë të përbashkëta me italianët, sikur të ishin kushërinj pak më të rinj në moshë, dhe vërej se shqiptarët kanë marrëdhënie të mira me italianët. Edhe në gjyqet e përbashkëta në të cilat kam mbrojtur si shqiptarët dhe italianët. Vë re një respekt reciprok mes dy komuniteteve.
Ju keni klientë shqiptarë që i keni mbrojtur edhe kur janë akuzuar për trafik droge apo armësh. Është krijuar një përshtypje që ka shumë krime me autorësi, shqiptare. Doja t’ju pyesja juve: A janë vërtet kaq shumë kriminelët shqiptarë në Itali?
Më duhet të them se vitet e fundit ka një rivlerësim për mirë për qytetarët shqiptarë (dhe gjithashtu në zonën ku vitet e fundit shumë italianë pëlqejnë të kalojnë pushimet, siç bëra edhe unë verën e kaluar, në Dhërmi).
Mendoj se kjo ka ardhur edhe nga fakti që tashmë shqiptarët janë përfshirë shumë mirë në shoqërinë italiane, në veprimtaritë prodhuese dhe tregtare, por edhe në botën e veprave penale. Theksoj se krimi shqiptar është shumë i ulët në krahasim me shumicën e shqiptarëve që jetojnë në Itali me ndershmëri dhe me shumë respekt. Kam pasur shumë procese gjyqësore për trafik droge dhe armësh në të cilat janë kontestuar dy organizata kriminale, një shqiptare dhe një italiane që kanë bashkëpunuar shumë në trafikun nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas.
Veçanërisht më ka ndodhur shumë herë që organizatat kriminale italiane të blejnë drogë dhe armë nga shqiptarët. Në të kaluarën, gjithashtu, kam patur gjyqe për dënime të vjetra (vitet 90’ dhe 2000) në të cilat shqiptarët akuzoheshin për shfrytëzim prostitucioni. Por kohët e fundit, gjyqet me shqiptarët lidhen pothuajse gjithmonë me drogën.
Shqiptarët, me sa kam mundur të studioj në procese gjyqësore, kanë mundur të krijojnë rolin e tyre të pavarur në lidhje me Italinë, në blerjen e drogës nga jashtë (madje edhe drejtpërdrejt nga Amerika e Jugut) dhe rishitjen e saj tek italianët. Madje edhe në fushën e armëve të blera nga Evropa Lindore.
Në mediat e Europës flitet më shpesh për “mafia shqiptare” se për organizata kriminale nga vende shumë më të mëdha se Shqipëria. Realitet apo ekzagjerim sipas mendimit tuaj si jurist?
Nuk jam në gjendje të them nëse ekziston apo jo mafia shqiptare, edhe sepse në Itali mafia është një problem serioz pasi ka rrënjë shumë të lashta që nga fundi i viteve 1800, sipas disa historianëve.
Studiuesit e mafias, në fakt shprehen se organizatat italiane kanë lindur në vende ku shteti nuk ishte shumë i pranishëm. Aktualisht, pas vdekjes së dy gjyqtarëve të famshëm (Falcone dhe Borsellino, u hodhën në erë me tritol) në Itali ka një vëmendje të madhe ndaj krimeve mafioze, aq sa ligjet italiane janë më të vështirat në botë.
Vetëm në Itali, në fakt, ekziston i ashtuquajturi burg i vështirë, i quajtur edhe 41 bis, që ka një trajtim shumë të rëndë, për bosët më të rrezikshëm. Të burgosurit në 41 bis në fakt ndodhen në qeli të ndara dhe monitorohen edhe me kamera. Ata në fakt mund të kenë vetëm një kontakt në muaj me një anëtar të vetëm të familjes, pas xhamit pa asnjë kontakt fizik.
Më pas janë të burgosurit që i nënshtrohen mbikëqyrjes së lartë, me një regjim shumë të rreptë edhe nëse kanë trajtim jo të izoluar pasi mund të qëndrojnë me të burgosur të tjerë. Së fundi, ka të ashtuquajturit të burgosur të zakonshëm me rregulla më pak strikte.
Ju keni qenë edhe avokat i Ballist Morinës, një personazh, për të cilin pati edhe një përplasje në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Serbi, si jeni ndjerë në këtë rast, për komentet që keni marrë mbi mbrojtjen e tij?
Për sa i përket çështjes së Morinës, jam shumë krenar që mbrojta Shqipërinë me afirmimin e së drejtës për një proces të drejtë, duke ruajtur edhe sigurinë e Morinës nga rreziku i sulmeve ndaj jetës së tij.
Në gjyqin në Itali, falë kolegut dhe gruas së Morinës, ne bëmë një raport të të gjitha kërcënimeve që kishte pësuar Morina, si dhe artikuj në gazetat serbe, në të cilat të burgosur të tjerë e kishin kërcënuar Morinën me hakmarrje të rëndë nëse do të dërgohej në burgjet në serbe.
Prandaj procesi i ekstradimit në Itali u festua edhe për të mos ekspozuar z. Morina në një gjyq në Serbi që me siguri do të ishte politizuar nga shtypi, edhe pse kam respekt të madh për autoritetet gjyqësore serbe si dhe ato të të gjitha shteteve.
Së fundi, ne kemi përmirësuar gjithashtu një ligj komunitar në të cilin parashikohet që i huaji që ka lidhje me territorin nga i cili kërkohet ekstradimi, si në rastin konkret në Itali, nëse ka rrënjë në familjen në vend, mund të refuzohet ekstradimi.
Ne provuam se Morina ka një grua italiane, me fëmijë të lindur në Itali ku ata jetonin edhe sot dhe se për këtë arsye ekstradimi në Serbi duhej të refuzohej. Dhe për fat të mirë kështu ndodhi.