Zyrtarët e lartë amerikanë të mbrojtjes pranojnë se përparimet e fundit në fushën ushtarake të Kinës, mes tyre testimi i një sistemi armësh hipersonike, janë arsye për t’u shqetësuar. Megjithatë Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se kjo nuk është një arsye për panik.
“Amerika nuk është një vend që i frikësohet konkurrencës”, thuhet në një fjalim të parapërgatitur të Sekretarit Lloyd Austin, i cili pritet ta lexojë më vonë gjatë ditës së shtunë, përpara zyrtarëve qeveritarë dhe kompanive që kryejnë veprimtari në fushën e mbrojtjes, pjesëmarrës në Forumin e Mbrojtjes Kombëtare ‘Regan” që zhvillohet në Kaliforni.
“Ne po përballemi me një sfidë të madhe dhe do ta përballojmë këtë me besim e vendosmëri, jo me panik e pesimizëm”, thuhet ndër të tjera në fjalim.
Zyrtarët e lartë ushtarakë amerikanë kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për muaj të tërë, duke paralajmëruar se Pekini po ‘mbyll hendekun’ në një përpjekje për të tejkaluar Shtetet e Bashkuara si fuqia kryesore ushtarake në botë në dekadën e ardhshme.
Gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, shkoi me larg me komentet e tij duke e krahasuar testin me raketa hipersonike të Kinës, zhvilluar korrikun e kaluar, me lëshimin nga Rusia të satelitit të parë artificial në botë në vitet 1950, i cili ndezi garën hapësinore që dominoi dekadat e ardhshme.
“Nuk e di nëse është një moment si ai i Sputnikut, por mendoj se është shumë pranë tij”, tha zoti Milley për televizionin Bloomberg muajin e kaluar. “E gjithë vëmendja është aty”, shtoi ai.
Një raport i Pentagonit i lëshuar muajin e kaluar mbi fuqinë ushtarake të Kinës dilte në përfundimin se Pekini është “gjithnjë e më i gatshëm të përballet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, në zonat ku interesat ndryshojnë”. Raporti paralajmëroi se Kina ka të ngjarë të ketë të paktën 1000 armë me mbushje bërthamore deri në vitin 2030.