Tifozët e Çelsit, që ka në pronësi kartonin e Armando Brojës, sulmuesit të Kombëtares së Shqipërisë, duan nga klubi që ai të kthehet menjëherë në skuadër në merkaton e dimrit, duke e ndërprerë huazimin te Southemptoni.
Broja po bën një paraqitje të shkëlqyer në Premier Ligë, ku ka shënuar 3 gola për Southemptonin. Ai u huazua nga Çelsi te kjo skuadër për të pasur mundësi aktivizimi dhe për të fituar sa më shumë përvojë, pas asaj që fitoi në kampionatin holandez me Vitesen sezonin e shkuar.
Sulmuesi kuqezi është bërë menjëherë protagonist dhe sipas tifozëve të Çelsit, ai duhet të kthehet urgjentisht në skuadër. Në rrjetet sociale tifozët e bluve të Londrës u bëjnë thirrje drejtuesve të klubit të marrin Brojën nga Southemptoni, sepse ai po shënon sa Romelu Lukaku, por duke luajtur më pak minuta dhe me një ekip që mban vendin e 15-të në Premier Ligë.
Po ashtu, tifozët e Çelsit janë të pakënaqur edhe nga paraqitja e gjermanit Timo Vermer, ndaj dhe kërkojnë që Broja të luajë sa më shpejt me fanellën e skuadrës blu.