Përpara 40 emigrantëve, papa Françesku bëri thirrje të dielën për t’i dhënë fund një “mbytjeje të civilizimit”, në një fjalim të cilësuar si të jashtëzakonshëm në kampin e emigrantëve të Mavrovounit, në Lesbos, pesë vjet pas vizitës së tij të parë në këtë ishull ikonik grek të krizës së migracionit.
”Mesdheu po bëhet një varrezë e ftohtë pa gurë varresh (…) Ju lutem, le ta ndalojmë këtë fundosje të qytetërimit!”, deklaroi papa, në ditën e dytë të vizitës së tij në Greqi, e shënuar nga një vizitë rrufe në Lesbos.
Jorge Bergoglio, vetë nga një familje emigrantësh italianë të vendosur në Argjentinë, nuk resht së përkrahuri për pritjen e mijëra ”vëllezërve dhe motrave”, pa bërë dallim mes fesë, statusit të refugjatit apo mërgimtarit ekonomik.
Papa Françesku, i cili është në një vizitë zyrtare triditore në Greqi që nga e shtuna, fluturoi sot për në Lesbos për t’u takuar me emigrantët në Qendrën e Pritjes dhe Identifikimit në ishull.
Kreun e Kishës Katolike për në Mavrovouni (Kara Tepe) e shoqërou presidentja greke Katerina Sakellaropoulou.
Në ishull atë e mirëpriti ministri i Migracionit dhe Azilit, Notis Mitarachi.
Papa, i cili ka përdorur turneun e tij aktual në Mesdheun Lindor për të nxjerrë në pah gjendjen e vështirë të migrantëve dhe refugjatëve, vizitoi Lesbosin për herë të fundit në vitin 2016, kur kampi famëkeq i mbipopulluar i Morias ekzistonte ende.
Ai kamp u dogj në vitin 2020, kështu që papa Françesku takoi emigrantët në strehimin e tyre të përkohshëm.
Kreu i Kishës Katolike vizitoi gjithashtu Qipron si pjesë e udhëtimit të tij, ku mbajti një fjalim plot pasion ku denoncoi krizat e vazhdueshme të migracionit.
Më shumë se 900 forca policore ishin sot në ishull për të garantuar sigurinë e papa Françeskut.