Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë një mesazh në momentin që po zhvillonte online një “Foltore” me shqiptarët e Nju Xhersit në SHBA.
Bëhej fjalë për ndarjen nga jeta të ish-senatorit Bob Dole, të cilin Berisha e cilësoi një mbështetës të shqiptarëve.
“E lidhur me Foltoren dhe kauzën e saj, por me kauzën shqiptare për liri, i hidhur është lajmi që sapo mora ndarjen nga jeta të njërit prej miqve më të shquar të të gjitha kohërave të kombit shqiptar, heroit të vërtetë të kombit amerikan, senatorit dhe ish-kandidatit për President të Shteteve të Bashkuara, Bob Dole. Ju ftoj ta nderojmë me 1 minutë heshtje kujtimin e ndritur të këtij miku që borxhi nuk i dalim kurrë për mbështetjen e tij të jashtëzakonshme që u dha shqiptarëve në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo”, tha Berisha.
Bob Dole, një ligjvënës shumëvjeçar amerikan i konsideruar hero i Luftës së Dytë Botërore dhe që më pas u bë një nga drejtuesit e Partisë Republikane u nda nga jeta në moshën 98-vjeçare.
Në shkurt, Dole zbuloi se ishte diagnostikuar me kancer të mushkërive të fazës 4 dhe tha se po fillonte trajtimin. Dole ishte një nga drejtuesit e republikanëve në SHBA dhe në vitin 1996 garoi për President përballë Bill Clinton.
Pas humbjes së garës u tërhoq nga politika aktive, por vijoi të ishte në qendër të vëmendjes në programe të ndryshme televizive.