Nga Auron Tare
Leskovik
Rrënojat në foto janë pjesë e shtëpisë së dikurshme të një personazhi tejet interesant të kohës së Mbretërisë Shqiptare. Adjutanti personal i Mbretit Zog, figure karizmatike dhe legjendare në të njëjtën kohë. Ushtarak i trupave Perandorake dhe pjesëmarrës në luftimet e otomanëve me trupat koloniale angleze në Canakala dhe Galipoli. Vjen në Shqipëri ku ngjit shkallët e karrierës ushtarake në krah të politikanit të ri nga Mati, Ahmet Zogut. Bëhet një prej njerëzve më të besuar të tij dhe personi që arreston në Parlament atentatorin e Mbretit, Valter Beqirin. Besnik i Zogut edhe pasi ai u largua nga vendi.
Nuk dihet se përse Mbreti nuk e mori me vete, ndoshta mosha e kaluar apo dëshira e Kolonelit për të qëndruar, Osman Gazepi u tërhoq në shtëpinë e tij në Leskovik. David Smiley oficeri britanik i Misionit Anglez e përshkruan në librin e tij me Kujtime si një figure tejet ekzotike dhe karizmatik. Ata u takuan ne Leskovik ku Osman Gazepi hipur në një kalë të bukur i shoqëruar nga të dyja vajzat e tija partizane takoi Misionin Ushtarak Britanik.
Veshur gjithmonë me uniformen ushtarake, qillotat, çizmet e lustruara dhe gradat që ja kishte vendosur vete Mbreti ai bënte një figure mjaft ekscentrike në qytezën e vogël të Leskovikut.
Në 1945 u arrestua në moshë të thyer si besnik i Zogu, akuzë për të cilën nuk u ankua pasi ishte dhe mbeti besnik i Mbretit. U lirua nga burgu pas 8 vjetësh vetëm me ndërhyrjen e Ministrit të Brendshëm Mehmet Shehu.
Edhe pse kishte dy vajza partizane dhe një djalë dëshmor mbeti vetëm rrugëve pa shtëpi dhe pa një strehë ku të kalonte natën. E gjetën të vdekur nën një urë ku mjeku që bëri raportin shkruante se kishte vdekur nga uria dhe sëmundjet e morrit.
Shtëpia e tij në Leskovik tashme është një rrënojë ku i janë marrë edhe gurët e qosheve si për të tentuar ta fshijnë edhe nga historia figurën kaq kalorësiake të një fisniku nga Leskoviku.