Aktualitet Identifikohen 3 të rinjtë që hynë në një lokal të armatosur, policia...

Identifikohen 3 të rinjtë që hynë në një lokal të armatosur, policia zbardh ngjarjen

Policia e Lezhës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 13 Nëntor ku 3 persona hynë të maskuar dhe të armatosur në një lokal në fshatin Zejmen të Lezhës. Autoritetet kanë bërë të mundur identifikimin e 3 autorëve të dyshuar të ngjarjes dhe i ka shpallur ata në kërkim, pasi menjëherë pas ngjarjes ata janë larguar nga Shqipëria. Ata janë Roan Brahimi, 29 vjeç, Ramazan Rraja, 28 vjeç dhe Alesio Dobrozi, 31 vjeç.

Nga hetimet rezulton se 3 të rinjtë kanë hyrë në bilardo të armatosur për shkak të një konflikti të ndodhur më parë ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit dhe një shtetasi që është mik i 3 autorëve të dyshuar të ngjarjes.

“Këta tre të fundit, më datë 13.11.2021, kanë shkuar të armatosur, në lokalin në pronësi të shtetasit A. K., dhe kanë kërkuar kushëririn e tij, shtetasin L. M.(K), (i cili më herët ishte konfliktuar me shtetasin Gj. J., mik i tre autorëve të dyshuar). Shtetasi L. M.(K), në momentet e ngjarjes nuk ka qenë në ambientet e lokalit”, thuhet në njoftim.

Po në vijim të veprimeve, menjëherë pas publikimit të videos në media dhe rrjetet sociale, nga shërbimet e Policisë është bërë i mundur identifikimi i të gjithë personave që ndodheshin në lokal, të cilët në vijim të veprimeve hetimore janë proceduar penalisht për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”, e mbetur në tentativë, të kryera në bashkëpunim.