Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, francezi Jean Todt, një nga figurat më të njohura të Formula 1 falë fitoreve krahas Ferrarit të Michael Schumacher, dërgoi sot një mesazh urimi për Shqipërinë, për iniciativën e forcimit të rregullave të sigurisë rrugore, por edhe për idenë e Automotorparkut që pritet të ndërtohet në afërsi të Elbasanit.
“Falë mikut tim Niko Leka, president i Klubit Automobilistik Shqiptar, kam ndjekur me interes përpjekjet e ndërmarra nga qeveria shqiptare për forcimin e rregullave të sigurisë rrugore”.
Për sa i përket sigurisë rrugore, Todt tha se “dy vjet më parë, pata mundësinë për të diskutuar me kryeministrin Edi Rama, lidhur me rëndësinë e zbatimit të kësaj politike. Sot, dua të përgëzoj këtë përkushtim për një kontroll më të mirë të shpejtësisë në qendrën e qytetit dhe pranë shkollave, në veçanti të gjithë këmbësorëve dhe çiklistëve, duke iu siguruar korsi të dedikuara”.
Për Automotoparkun, Todt theksoi se “Shqipëria kishte një projekt ambicioz, krijimin e një qendre e dedikuar sporteve automobilistike, por edhe edukimit dhe formimit. Natyrisht, FIA e mbështet këtë nismë, e cila është në përputhje me përparësitë e saj, për zhvillimin e sportit dhe edukimin e të rinjve”.