Kulturë NJË VIT ME TEMA TË VOGLA

NJË VIT ME TEMA TË VOGLA

…Dhe faqet e kalendarit ikin dhe lënë pas shumë,… shumë peshë, por dhe pak… shumë gjëra, …dhe pak… – sa shumë, por dhe pak. Pak mund për të arritur shumë për ata që në dore kanë gjithçka dhe e kapin sa ta zgjasin atë, por sa shumë për të arritur ndoshta dhe pak për mua, për ty, për secilin që pas derës së vet pret shumë. Por një psherëtimë i del kur mbyll derën dhe shkon për të arritur shumë pak nga ai që shumicën e kap me një zgjatje të dorës.

E, gjithkush ecën në ditën e tij të lënguar nga ajo që nuk e ka, nga ajo që shpreson të kapë, nga ajo që kur ishte i vogël e kishte dëshirën e tij më të madhe, nga ajo…

Nuk e di akoma çfarë do, veçanërisht secili nga ne që përpiqet ta arrijë duke shpresuar se dhe gjerat e vogla do arrijnë ta bëjnë të buzëqeshë e t’i japin shpresën që të realizoje ëndrrën e tij.

A do mjaftojnë gjërat e vogla për një njeri me kaq shumë vendime, kaq shumë nevoja, kaq shumë detyrime?

Eh, ndodh!… Ndodh që ne të jemi njerëz kaq të mëdhenj, por me kaq pak dëshira të kapura ndoshta dhe me sakrifica e mundime. Ndodh që të përplasemi ditëve tona dhe me ata që zgjasin dorën e arritjet me shumë se të mëdha i kanë pas dere, i marrin e i përqafojnë karrigeve të pushtetit, e pas derës së tij rri ai që mëngjeseve zgjohet pa gdhirë dhe i bie derës për t’i sjellë qumështin. Se dhe gjërat e vogla i duhen, paçka se i peshojnë në të dyja duart po njësoj, karrigia e ai që me vrap rend ta kapë pa dalë nga shtëpia që t’i hapë derën, e bashkë me dorën që i merr porosinë, t’i japë pak ushqim për fëmijët qe e presin në shtëpi të zbathur.

Eh, moj shoqëria jonë, që ngrihesh kaq lart me erë korrupsioni e zbret kaq poshtë me atë që darkave fle dhe pa ushqyer…

…Fleta e fundit e kalendarit peshon akoma aty dhe pak ditë dhe gjithkush shpreson që fleta që do të jetë pas të jetë e kuqe, e bukur, plot ngjyra….

Dhe unë shpresoj të besoj nesër, shpresoj që dyerve tona të bjerë zilja e sukseseve dhe ëndrrave të realizuara të fëmijërisë tonë. Shpresoj shumë që rrugëve të mos shoh gjurmë të kërrusura, e as fletë kalendarësh të thyer.

Shpresoj shume dhe them plot forcë:

Viti tjetër, ardhsh i bardhë!

EDMIRA XHAFERI