Deputetja e PD, Sorina Koti ka rrëfyer se ka patur një tentativë nga PPE që të gjendej dakordësia për t’u mbledhur një kuvend i përbashkët dhe jo siç është parashikuar, i pari në 11 dhjetor i thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe një javë më pas Kuvendi i thirrur nga kreu i PD, Lulzim Basha.
“Me ndërhyrjen e Partive Popullore Europiane është rekomanduar të bëhet një Kuvend i përbashkët. Ka informacione sekretë nga ambasada se pse Berisha është ‘non grata’ dhe pse Basha e mori vendimin për Berishën. Demokratët duan më shumë transparencë. Nuk duhet të kemi frikë të shprehim mendimet tona”, tha Koti, duke folur në emisionin “Zona Zero” në Top News.
Deputetja ka deklaruar se do të marrë pjesë në të dy Kuvendet e PD.
“Do diskutojmë të gjitha problematikat që demokratët kanë ngritur. Është në detyrën tonë që ne të jemi atje. Nuk ka rëndësi nëse e plotëson formularin. Unë mendoj se demokratët duhet të ndjekin të dy Kuvendet. Idealja do të ishte të kishim vetëm një Kuvend”, u shpreh deputetja.