Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal që vepronte në fushën e shpërndarjes së drogave të forta në zona të ndryshme të kryeqytetit. Në pranga, kanë rënë 5 persona të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në operacionin policor të koduar “Kompleks”, janë sekuestruar edhe një armë zjarri pistoletë, një sasi heroine e ndarë në doza, 2 600 000 lekë të rinj, 2 mijë euro, peshore elektronike, 10 aparate celular dhe një automjet.
Njoftimi i Policisë
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, bazuar dhe në provat e grumbulluara, si rezultat i një hetimi disamujor, nën drejtimin e Prokurorisë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Strukturave të Hetimit në DVP Tiranë, është finalizuar operacioni policor “Kompleks”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit:
Sh. P., 24 vjeç, për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”;
Xh. K., 23 vjeç, G. Z., 23 vjeç, A. D., 30 vjeç dhe E. D., 26 vjeç, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.