Nga viti 2018 deri në vitin 2020 pjesa më e madhe e të arrestuarve për trafik kokaine në Europë ishin shtetas shqiptarë, 266 të tillë. Ata lënë mbrapa brazilianët me 257 të vënë në pranga dhe 168 kolumbianë të arrestuar në të njëjtën periudhë. Për vite me radhë trafikuesit shqiptarë janë përkufizuar si “forca punëtore” për organizatat e tjera kriminale. Por tashmë, sipas një shkrimi të italianes Il Post, ato janë kthyer në grupe të fuqishme kriminale dhe janë të strukturuara sipas modelit italian ‘Ndragheta. Ata kanë ndërtuar marrëdhënie të drejtpërdrejta dhe të forta me trafikantët në Amerikën Jugore, sidomos në Ekuador, ku kanë rritur më së shumti influencën.
Tashmë mafia shqiptar është imponuar kudo. Sipas një raporti të Europol, shqiptarët kontrollojnë pjesë të mëdha të tregut të kokainës dhe në Europë kanë interes të fortë në Gjermani, Belgjikë, Zvicër, Bullgari dhe Greqi. Por për arsye logjistike dhe afërsie, vendi ku lulëzon biznesi i jashtëligjshëm i mafias shqiptare është Italia. Gjatë një konference në Gusht, prokurori i Catanzaro-s, Nicola Gratteri, i cili prej vitesh lufton ‘Ndragheta-n tha se “për të paktën 3 vitet e fundit mendon se në Europë është duke u shfaqur një mafia e re, mafia shqiptare”.
“Shqipëria është vend i korruptuar, ku është e lehtë të korruptosh zyrtarët e lartë. Edhe nëse largohem nga Shqipëria dhe kam fuqi ekonomike, mund ta forcoj veten si mafia ndërkombëtare”, u shpreh prokurori asokohe.
Operacionet policore janë prova më e qartë e aktivitetit të mafias shqiptare. Në Shtator të vitit 2020 u zhvillua operacioni Los Blancos, ku sipas mediave të huaja u godit klani më i fortë shqiptar, Kompania Bello. Policia italiane, Europol, EuroJust dhe disa agjenci të tjera europiane morën pjesë në operacion. Hetimet nisën pas një përplasjeve të dhunshme në vitin 2014 në Firence. Dy grupe shqiptarësh ndesheshin me njëra-tjetrën për të kontrolluar territoret e prostitucionit mes Firences dhe Pratos.
Për të komunikuar me njëri tjetrin, anëtarët e së njëjtës organizatë përdorin sistemin e mesazheve në celularët BlackBerry. Duke ndjekur komunikimet, policia europiane mundi që të kapte një ngarkese kokaine që shkonte nga Ekuadori deri në portet e Antëerp dhe Rotterdamit. Sipas prokurorit anti-mafia Frederico Cafiero de Raho, “Kompania Bello e fuste drogën në çdo pako dhe secila kishte shenjë dalluese për të kuptuar cilësinë e produktit”.
21 shqiptare ranë në pranga për këtë rast, ndërsa 80 të tjerë u arrestuan në Holandë, Shqipëri, Belgjikë, Ekuador, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Rumani dhe Hungari. Dy liderët e organizatës, Denis Matoshi u arrestua në Dubai, ndërsa Dritan Rexhepi u kap në Ekuador. Rexhepi konsiderohet kreu i Kompanisë Bello. Ai qëndronte në Ekuador prej vitesh. Rexhepi shkoi në Ekuador pas Adriatik Tresës, një drejtues i mafias shqiptare prej kohësh në Amerikën e Jugut. Tresa u vra në Nëntor të vitit 2020 pranë Guajakilit, një prej qyteteve më të mëdha të vendit. 4 vrasës me pagesë, të maskuar si policë, shkuan në vilën ku ai qëndronte, vranë shqiptarin dhe bodigardët e tij dhe më parë u larguan.
Tresa ishte shumë i njohur për forcat ligjzbatuese në Amerikën Jugore dhe Europë. Ai kontrollonte trafikun në rritje të kokainës nga një kontinent në tjetër. Në Ekuador, Tresa kishte gjetur një bazë të fortë dhe të rehatshme. Ka shumë arsye se pse mafia shqiptare ka zgjedhur Ekuadorin si qendër biznesi. Ky shtet ka 700 kilometra kufi me Kolumbinë, ku lulëzon tregtia e kokainës. Prania e trafikantëve shqiptarë është vënë re në Ekuador që në vitet 2000. Në vitin 2011, drejtuesi i DEA-s për Amerikën Jugore, Jay Bergman tha se edhe shqiptarët kishin pjesën e vet në trafik.
“Ka grupe kriminale shqiptare, ukrainase, italiane dhe kineze në Ekuador. Të gjithë kanë pjesën e vet të prodhimit të kokainës dhe shpërndarjes së drogës në vendet e tyre respektive”, tha ai.
Deri në vitin 2016, mafia shqiptare mendohet se vetëm mbështeste ‘Ndragheta-n, e cila kishte kontrollin e trafikut të drogës nga Amerika e Jugut. Por atë vit ka pasur një shpërthim kërkese nga vendet europiane. Prodhimi u rrit dhe narcos-it amerikanojugorë po shihnin për aktorë të rinj. Shqiptarët ishin gati. Ata kanë bërë marrëveshje me Constru, një nga grupet paramilitare më të forta, e formuar nga ish-anëtarë të FARC, (Forcat Ushtarake Revolucionare të Kolumbisë), dhe zotëruesit e tokave në Putumayo, ku prodhimi i kokainës është i madh.
Shqiptarët ishin të parët që përdorën transportin e kokainës me nëndetëse nga Ekuadori në Amerikën Qendrore dhe Veriore. Një nëndetëse që mbante 7 tonë kokainë u zbulua në vitin 2013 në Limones, në veri të Ekuadorit. Në Itali gjithashtu, mafia shqiptare filloi që të operonte si aktore mbështetëse dhe më pas u përforcua si një organizatë e pavarur dhe duke u rritur fuqimisht. Sipas një raporti vjetor të DIA-s (Departamenti i Hetimeve AntiMafia) për vitin 2020, kriminelët shqiptarë ndahen në disa grupe operimi.
“Disa operojnë në grupe të vogla duke përfshirë lidhjet farefisnore për krimet kundër pronës. Në disa raste të tjera, prezenca vihet re në të njëjtën mënyrë me “mafian tipike”. Krimi shqiptar është shumë aktiv në trafikun e drogës dhe armëve si dhe në trafikun e qenieve njerëzore për prostitucion, ndonjëherë në marrëveshje me grupe të tjera etnike, rumune dhe nigeriane”, thuhej në raport.
Mafia shqiptare ka marrëdhënie të ngushta me të gjitha grupet kriminale italiane. Marrëdhëniet me mafian siciliane datojnë që nga vitet 1990 me Cosa Nostra-n që kishte një aleancë të frytshme me familjet shqiptare. Sipas raporteve policore, shumë familje të rëndësishme kriminale e kanë bazën në Vlorë. Në Italinë e Veriut është vënë re një bashkëpunim i ngushtë mes Ndragheta-s dhe mafias shqiptare, sidomos në Piedmonte dhe Liguria. Me Sacra Corona Unita, marrëveshjet kanë qenë të qëndrueshme prej vitesh. Bandat shqiptare i kanë përdorur brigjet e Apulias për të trafikuar hashash ne Itali.
Mafia shqiptare është e bazuar në lidhjet familjare. Klanet janë të bazuara tek fiset dhe lidhjet e gjakut. Il Post shkruan se çdo grup drejtues quhet “Bajrak”. Kryetari i çdo grupi ka një zv/kryetar dhe ky i fundit ka një zëvendës të tij që është personi që lidhet me të gjithë anëtarët e organizatës. Askush brenda klanit nuk konsiderohet punëtor. Gazetari anglez John Lucas që ka studiuar klanet shqiptare për një kohë të gjatë thotë se gangsterët shqiptarë kanë një sens krenarie për veten që nuk i lejon të marrin urdhra nga të tjerët.
“Lidhjet kriminale janë njësoj dhe kur drejtuesi merr një vendim, udhëzimet jepen me respekt për të mos ofenduar të tjerët”, ka thënë ai.
Sipas Il Post, anëtarët e klaneve i japi besën njëri tjetrit. “Besa është thelbi i kodit të nderit me këtë moto: Kur një shqiptar të jep fjalën, të ka dhënë fëmijë”, ka shpjeguar gazetari anglez.