Ashtu siç e paralajmëroi disa ditë më parë me prezantimin e strategjisë së luftës kundër korrupsionit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj 16 personave dhe 12 entiteteve të ndryshme të përfshirë në aktivitet kriminal në vende të ndryshme të botës.
Mes organizatave të vendosura në listën e sanksioneve të Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja në Departamentin e Thesarit është dhe ajo e kriminelit serb Zvonko Veselinoviç, e cila operon kryesisht në veri të Kosovës.
Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.
Ky grup mes të tjerash akuzohet se kishte bërë marrëveshje me politikanë të ndryshëm për t’i ndihmuar të zgjidheshin, në këmbim të kontratave në infrastrukturë dhe fusha të ndryshme.
Zvonko Veselinoviç, lideri i organizatës kriminale OCG, është një nga figurat më të korruptuara në Kosovë. Ky grup është i përfshirë në një skemë të madhe ryshfeti me zyrtarë kosovarë dhe serbë, të cilët i lehtësojnë kësaj organizate të trafikojë mallra, para dhe narkotikë mes Kosovës dhe Serbisë.
Nga fundi i vitit 2017, Veselinoviç dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviç (Zharko) dyshohet se kishin marrëveshje me politikanët për të ndihmuar partitë e tyre të fitonin zgjedhjet. Në këmbim, këta politikanë do t’u jepnin vëllezërve kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre dhe ku ata mund të kryenin aktivitetet e tyre të paligjshme pa ndërhyrjen e autoriteteve serbe.
Veç kësaj, Veselinoviç dhe grupi i tij u paditën për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjen e liderit të partisë politike Oliver Ivanoviç në janar 2018.