Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin ndezi polemika pasi shkoi në disko, pavarësisht se e dinte se kishte qenë në kontakt me një person pozitiv me Covid. Ndodhi të shtunën, kur liderja e re socialdemokrate shkoi në një festë në një klub në Helsinki, menjëherë pas njoftimit se ministri i Jashtëm, Pekka Haavisto, me të cilin Marin është në kontakt të përditshëm, ishte infektuar me virusin. Pas kritikave, kryeministrja kërkoi falje në rrjetet sociale:
“Duhet ta kisha vlerësuar më mirë situatën. Më vjen keq që nuk e bëra”.
Para se të kërkonte falje, kryeministrja u mbrojt duke deklaruar se fillimisht i ishte thënë që të mos ishte në izolim pasi kishte marrë dy doza të vaksinës, por më pas do të merrte një mesazh nga shërbimet shëndetësore, duke i thënë që gjithsesi të shmangë kontaktet sociale. Por këtë mesazh ajo nuk e vuri re sepse kishte lënë celularin në shtëpi.
Të nesërmen kur pa mesazhin, kryeministrja kreu menjëherë një test dhe doli negative. Sipas udhëzimeve finlandeze të Covid, kushdo me një dozë të dyfishtë të vaksinës nuk ka nevojë të izolohet nëse bie në kontakt me një rast pozitiv.
Megjithatë, sipas të përditshmes finlandeze Helsingin Sanomat, udhëzime të veçanta për ministrat dhe punonjësit e qeverisë rekomandojnë gjithashtu kufizimin e kontakteve sociale menjëherë pas kontaktit. Duke folur me gazetarët, Marin tha se nuk i ishte dhënë ky udhëzues. Ajo tha se mori përgjegjësinë personale për mungesën e informacionit dhe përsëri kërkoi falje për veprimet e saj.
Politikanët e opozitës thanë se Marin duhet të kishte dhënë një shembull të mirë duke u izoluar vullnetarisht në vend që të shkonte në klub.