Pothuajse dy dekada pas ndeshjes së famshme të Amsterdam Arenës Reali i Madridit dhe Juventusi do të përballen sërish në finalen e kompeticionit më të rëndësishëm evropian, në rang klubesh.
Në vitin 1998 klubi madrilen përmbysi që të gjitha parashikimet duke mposhtur “bardhezinjtë” falë golit të shënuar nga sulmuesi malazez Predrag Mijatovic, ndërsa sonte të dy ekipet paraqiten në Cardiff në një finale ku nuk ka aspak favoritë.
19 vjet më parë në Holandë Zinedine Zidane ishte pjesë e skuadrës së Marcello Lippi-t, ndërsa këtë mbrëmje në “Millennium Stadium”, në timonin e klubit më të titulluar në glob 44-vjeçari francez do të bëj çmos për ta bërë Realin klubin e parë në historinë e Champions League-s që koleksion këtë trofe për dy sezone rresht. Asokohe, vetëm 8 ditë pas triumfit, presidenti i “los blancos” Lorenzo Sanz shkarkoi në mënyrë të pamëshirshme trajnerin Jupp Heynckes, ndonëse strategu gjerman e ktheu Realin te lavdia pas plot 32 vjetësh, ndërsa këtë mbrëmje presioni do të jetë dukshëm në krahun e “Zonjës së Vjetër”, që nuk e fiton “kupën me veshë të mëdhenj” që nga viti 1996, kur mundi në Stadio Olimpico të Romës Ajaksin me 11-metërsh.
Tashmë historia harrohet dhe në Uells gjithçka është gati për finalen e 25 në Champions dhe edicionin e 62 të aktivitetit elitar të klubeve përsa i përket UEFA-s.
Të dy ekipet e kanë merituar për të qenë në këtë ndeshje të madhe, me kampionët në fuqi që eliminuan në fazën e knock out-it me radhë skuadra të tilla si Napoli, Bayern dhe Atletico Madrid, ndërsa “bardhezinjtë” në krahun tjetër triumfuan ndaj kundërshtarëve si Porto, Barcelona dhe Monaco. Për skuadrën “merengues” kjo është finalja e 15 në histori dhe e treta në katër edicionet e fundit, ndërsa klubi i famshëm piemontez paraqitet për herë të nëntë në një event të tillë. Pas disfatës 3-1 me Barcelonën, dy vjet më parë në “Olympiastadion” të Berlinit, Juventusi la pas Bayern-in dhe Benfica-n duke u bërë klubi që ka humbur më shumë finale, plot 6 të tilla, gjithsesi këtë herë “bardhezinjtë” kanë përsëri mundësinë për të kompletuar “tripletën” e famshme, teksa kanë plot gjashtë sezone që po dominojnë futbollin në Apenine.
Pasi e bëri Juventusin klubin e parë në historinë e Serisë A që fiton 6 herë radhazi kampionatin italian Massimiliano Allegri tashmë ka një rast të shkëlqyer për të përsëritur rezultatin e dy viteve më parë, kur eliminoi Realin brenda në “Tempullin e Madrilenëve” Santiago Bernabeu, falë golit të famshëm të ish-it Alvaro Morata.
“Bardhezinjtë” tani kanë krijuar eksperiencën e nevojshme për t’u përballur si të barabartë, megjithatë nga katër finalet e mëparshme në këtë kompeticion ndaj klubeve italiane “los blancos” kanë humbur vetëm një, edhe atë madje plot 53 vjet më parë, në Vjenë me Interin e Milanos.
Natyrisht Juventusi është më skuadër se sa Reali dhe kjo kuptohet qartë duke parë lojën tepër të kontrolluar të “bardhezinjve”, apo dhe mbrojtjen e hekurt, që për hir të së vërtetës ka pësuar vetëm 3 gola gjithsej në këtë aktivitet, sidoqoftë 5 sezonet e përjetuar në kampionatin italian e kanë kalitur “Zizou”-në edhe në këtë aspekt. Edhe në këtë edicion ekipi madrilen vazhdon të mbështetet te individët, ku spikat si zakonisht Cristiano Ronaldo me 10 gola të shënuar, gjithsesi eksperienca e dy finaleve të fundit ndaj Atletikos, të mbyllura 1-1 dhe të fituara vetëm pas kohës shtesë e shndërron këtë finale në një ndeshje shahu mes dyshes Allegri–Zidane.
Bilanci është i barabartë, me dy skuadrat që kanë fituar nga 8 ndeshje secila në 18 përballjet ndërmjet tyre, sidoqoftë një gjë është e sigurtë në përfundim të kësaj finaleje do të kemi edhe emrin e futbollistit më të mirë të vitit 2017. Natyrisht duke patur parasysh titullin në Primera Division nëse Reali kompleton “dobletën” e famshme, që klubit mbretëror i mungon që nga 1958-ta e largët, Cristiano do t’i gëzohet topit të pestë të artë, duke barazuar Messi-n, ndërkaq në rast të një suksesi të “bardhezinjve” që do të ishte i pari në histori për 39-vjeçarin Gianluigi Buffon atëherë do të ishte portieri legjendar që do të shpërblehej në unison me çmimin e karrierës.
Pas sulmit të Manchester-it më 22 maj, për arsye sigurie Millennium Stadium do të mbulohet, duke e bërë kështu finalen e parë që luhet në kushte të tilla, gjithsesi finalja do të zhvillohet normalisht në orën 20:45 dhe do të drejtohet nga gjyqtari gjerman Felix Brych.