Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas takimit që zhvilloi me zv/ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit dhe të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, Gabriel Escobar. Në Facebook, kreu i qeverisë shqiptare shkruan se me Escobar diskutuan për marrëdhënien Shqipëri-SHBA, dialogun Kosovë-Sërbi dhe nismën Ballkani i Hapur.
“Kënaqësi të mikprisja Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një takim shumë miqësor, ku folëm për partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë e SHBA, rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në rajon, dialogun e domosdoshëm mes Kosovës e Serbisë dhe Ballkanin e Hapur, si një nisëm transformuese për ardhmërinë e rajonit, të cilën administrata e Presidentit Joe Biden e mbështet fuqimisht”, shkruan Rama.
Kryeministri zhvilloi takim 60 minuta me zyrtarin amerikan Gabriel Escobar. Ky i fundit gjatë ditës së sotme në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë u takua edhe me kryedemokratin Lulzim Basha dhe ministren e Jashtme Olta Xhaçka.