Politika Zbulohet plani se si Berisha synon t’ia marrë zyrën në PD Bashës

Zbulohet plani se si Berisha synon t’ia marrë zyrën në PD Bashës

Gjatë një prononcimi në Opinion sot, Sali Berisha foli për ngritjen e një “Komisioni provizor” nga Kuvendi i 11 Dhjetorit që do të marrë drejtimin e partisë Demokratike deri në zgjedhjet e reja. Pas kësaj deklarate, Arben Ristani, mbështetës i Foltores zbuloi skenarin që do të ndiqet deri në largimin e Bashës nga zyra e tij në PD.

“Fillimisht miratohen ndryshimet në statut dhe ndryshimet hyjnë në fuqi menjëherë. Kryetari do të shkarkohet për shkelje të statutit. Do shqyrtohet veprimtaria e tij në kuvend dhe do shkarkohet. Basha shkarkohet bashkë me Kryesinë që nuk është zgjedhur me votë të fshehtë. Pas kësaj, ngrihet një Komision Provizor që merr drejtimin e partisë deri në zgjedhjen e kryetarit të Partisë. Ky komision do marri kompetencat për të drejtuar partinë deri në zgjedhjet e reja. Komisioni do të përdorë asetet e Partisë Demokratike, që do t’ia vërë në dispozicion kuvendi. A do t’i marrë në atë moment apo të nesërmen? Nuk e dimë”, u shpreh Ristani.

Por sipas mbështetësit të Bashës, Ervin Salianjit kjo ka zero mundësi të ndodhë.

“Pas kësaj ka zero shans që kushdo që sillet si pronar, si gangster, si trim të marrë institucione që kanë dalë nga vota. Ky nuk është më një vend tribal. Njerëzit hynë edhe në Kapitol Hill, edhe këtu mund të hyjnë dhe do dalin prapë. Edhe godina e PD është e demokratëve. Hyjnë e dalin njerëz. Nuk ka nen që e shkarkon kryetarin”, u shpreh Salianji.

Mbetet për t’u parë nëse në selinë e PD do të ketë rezistencë ndaj Komisionit Provizor që pritet të marrë asetet e PD-së sipas Ristanit.