Lulzim Basha thotë se nuk do të tërhiqet nga beteja për Partinë Demokratike, ndërsa akuzon Sali Berishën se i është vënë kundër me gënjeshtra dhe shpifje. Kreu i PD-së këmbëngul se në 11 dhjetor nuk do të ketë kuvend, por një miting nga njerëz të çoroditur.
“Mesazhi i parë për të gjithë anëtaret, ju që qëndroni të bashkuar kundër një regjimi të korruptuar që do të shembet dhe e duan ndryshimin edhe më shumë se në 25 prill ju them se jam krenar që jam në krye të betejës, por kjo Shqipëri e vlerave nuk mund të vijë në emër të gënjeshtrave. Kjo PD nuk vjen në pushtet me gënjeshtra. Sali Berisha i serviri sot shqiptarëve duke gënjyer dhe mashtruar gjithçka. Vullneti juaj nuk do bëhen fli për interesa personale të nje njeriu të vetëm. Asgjë nuk do ndodhi në 11 Dhjetor. Siç i foli koshienca sot nuk ka Kuvend në 11 Dhjetor, por ka tubim nga ata që janë të çoroditur nga Berisha dhe të manipuluar nga Berisha. Se është Edi Rama që do ta përçajë Partinë Demokratike. Është Edi Rama se ai e di që siç tha Escobar pas Berishës radha e “non grata” është e gjatë”.
Basha u bëri thirrje disa herë demokratëve se kuvendi i vërtetë është ai i 18 dhjetorit, ndërsa atë të 11 dhjetorit e quajti arenë të hajnisë.
“18 dhjetori është kuvendi i Partisë Demokratike. Aty do bashkohen demokratët, nëse do të përballet, jo me shpifje e gënjeshtrave Sali Berisha të vijë në kuvendin e demokratëve. Vetë Lulzim Basha nuk është konfliktual, Basha është njeri i arsyes. Nuk ka konflikt, por luftë të një njeriu që do t’i tërheqë shqiptarët me vargonj. Unë nuk tërhiqem nga beteja për PD. Beteja e Berishës është me SHBA dhe kamuflimi me gënjeshtra dhe mashtrime marrin fund në 18 dhjetor. I siguroj demokratët që në 18 merr fund tollovia. Në 11 dhjetor nuk ndodh asgjë. Tubimi, Berisha, Rama, Meta, plus oligarkët dhe krimin e organizuar në arenën e hajnisë nuk është Kuvend i demokratëve, është një turp për Shqipërinë. Një turp që do të mbahet mend si një përpjekje për t’iu kundërvënë aleatit tonë strategjik. Duke shkrirë bashkë interesat e trekëndëshit të Bermudës, oligarkëve dhe krimit të organizuar që duan ta mbajnë Shqipërinë kështu siç është”, u shpreh Basha.