Max Verstappen ka fituar për herë të parë në karrierë titullin kampion në Formula 1.
Holandezi i Red Bullit fitoi Çmimin e Madh të Abu Dabit, garën e fundit sezonale, duke lënë pas rivalin Lewis Hamilton, në një garë të mbushur me polemika, që u vendos vetëm në xhiron e fundit.
Verstappen u nis nga vendi i parë, por Hamilton menjëherë e parakaloi duke marrë kryesimin dhe duke vendosur një ritëm të lartë. Edhe në këtë duel pati një prekje mes dy rivalëve, me Hamilton që preu shkurt kthesën, por pa marrë penalizim nga komisarët e pistës.
Por, 5 xhiro nga fundi, aksidenti i Nicolas Latifi (Williams) bëri që të futej Safety Car dhe këtu ndryshoi gara.
Verstappen u fut në bokse duke vendosur gomat e buta, ndërsa Hamilton nuk e bëri diçka të tillë. Makina e sigurisë u largua vetëm në xhiron e fundit, aq sa i mjaftoi holandezit që të sulmonte britanikun e Mercedesit, për t’i marrë fitoren dhe titullin kampion njëkohësisht.
Ndërkohë, Mercedesi fitoi titullin kampion për konstruktorë, i teti radhazi për ekipin gjerman.