Sport Briken Calja nuk ndalet me titullin kampion bote: Asgjë s’ka përfunduar

Briken Calja nuk ndalet me titullin kampion bote: Asgjë s’ka përfunduar

Vetëm pak ditë më parë, Briken Calja, sportisti më i mirë shqiptar i momentit, i solli Shqipërisë tri medalje nga Botërori i Uzbekistanit, njëra prej të cilave e artë. Calja doli kampion bote në shkëputje dhe nënkampion në stilin e shtytjes dhe në dygarësh.

Peshëngritësi shqiptar, me anë të një postimi në faqen e tij në Facebook, ka bërë një bilanc të rrugëtimit të tij të gjatë dhe plot sakrifica, por të shpërblyer me medalje. Briken Calja, pasi falënderon publikisht të gjithë ata që e kanë mbështetur, premton të tjera suksese.

Bilanci i rrugëtimit

“Kampion Bote në shkëputje dhe nënkampion në shtytje e dygarësh është një rrugëtim i gjatë suksesi, një karriere të jashtëzakonshme, ku është derdhur djersë, mund e gjak dhe jam shumë krenar teksa shoh që të tëra këto po shpërblehen me rezultate.

Rrugëtimi i një karriere plot sakrifica, e ndërsa kthej kokën pas, shikoj plot sfida të fituara e të humbura, plot buzëqeshje e lot të derdhur, plot njerëz që më mbështetën e refuzuan, por në fund unë mbeta po ai Brikeni që nuk u dorëzua kurrë, po ai me atë optimizëm të herës së parë kur preka shtangën, ashtu edhe para dy ditësh ne Uzbekistan”, shkruan Calja në rrjetet sociale, ndërsa bën edhe disa falënderime: “Këto rezultate historike të Peshëngritjes Shqiptare janë fryt i punës së palodhur times e stafit tim dhe mbështetjes të plot njerëzve që më rrethojnë. Një falenderim i madh shkon ne radhë te parë për familjen time për suportin, stafit tim Geraldit dhe Vaninit, ekipit Tirana dhe Bashkisë Tiranë, Federatës së Peshëngritjes, Komitetit Olimpik dhe në fund por jo më pak të rëndësishëm të gjithë njerëzve të zakonshëm sportdashës, të cilët janë burim frymëzimi për mua dhe më kanë mbështetur e brohoritur në çdo hap timin. Faleminderit!”.

Premtimi

Calja e mbyll shënimin e tij me premtimin se do të fitojë edhe trofe të tjerë.

“Asgjë nuk ka përfunduar, të tjera suksese na presin së bashku, ku më i rëndësishmi është gjithmonë ai i radhës”, përfundon peshëngritësi.