Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, në orët e mbrëmjes ka reaguar në lidhje me ndikimin që situata e përmbytjeve ka patur në shkollat e disa zonave të caktuara.
Ajo ka kërkuar nga nxënësit, prindërit dhe mësuesit që të bëjnë kujdes në zonat e prekura nga përmbytjet, ndërkohë që ka deklaruar emrat e shkollave të cilat nesër nuk do të mund të hapin dyert deri në normalizimin e situatës
“Po ndjekim me kujdes situatën e krijuar në Qarkun e Vlorës dhe atë të Fierit nga reshjet e dendura të ditëve të fundit, të cilat kanë shkaktuar daljen nga shtrati të lumenjve dhe përmbytje në disa zona rreth tyre.
Zyrat vendore arsimore parauniversitare në bashkëpunim me shtabet përkatëse të emergjencave civile po ndjekin nga afër situatën e krijuar edhe në shkollat që ndodhen në këto zona.
Për të shmangur çdo lloj rreziku, Ministria e Arsimit dhe Sportit vendosi që mësimi të mos zhvillohet në shkollat e mëposhtme, deri në përmirësimin e situatës:
Gjimnazi “Hajredin Beqari”, Selenicë
Shkolla 9-vjeçare “Todi Koceli”, Selenicë
Shkolla vartëse e arsimit fillor “Sile Hoxha”, Rromës
Shkolla 9-vjeçare “Sabri Pelivani”, Karbunarë
Shkolla 9- vjeçare vartëse “Thoma Sema”, fshati Ferras.
Do t’ju lutesha që të bënit sa më shumë kujdes gjatë lëvizjeve tuaja deri në përmirësimin e situatës në zonat e përmbytura”, shkruan Kushi në rrjetet sociale.