SPAK ka vënë sot në pranga dy zyrtarë te tjerë në Bashkinë Lushnje. Në një njoftim për mediat, Prokuroria e Posaçme sqaron se hetimet kanë nisur që në korrik të këtij viti ku u zbulua abuzimi me tenderin “Për rehabilitimin e kanalit ujitës U3 – 27, V-1 /1 në fshatin Bishqethëm dhe Bitaj, Njësia Administrative Kolonjë”.
Sipas prokurorisë, në këtë procedurë prokurimi të zhvilluar nga Bashkia Lushnje, në vitin 2020, janë zbuluar shkelje ligjore, te kryera edhe nga shtetasit Gentian Nushi me detyrë nën kryetar bashkie dhe Leonard Sefa, me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Prokurimeve/Juridike.
Ata akuzohen për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 e 25 i Kodit Penal.
Sipas SPAK, dy të arrestuarit në bashkëpunim me personat e tjerë nën hetim, Kryetarin e Bashkisë Fatos Tushe dhe zyrtarë të tjerë kanë bërë të mundur që këtë procedurë prokurimi ta fitonte me dokumentacion firma EURO – ALB shpk, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit.
Ndërkohë Nushi dhe Sefa akuzohen se kanë kryer veprime të kundërligjshme edhe gjatë tri procedurave të tjera prokurimi, të organizuara nga Ndërmarrja e Pasurisë Publike e Bashkisë Lushnje.
“Në të gjitha këto procedura prokurimi është konstatuar se procedura e përpilimit/hedhjes së dokumenteve të këtyre tenderave dhe procedura e vlerësimit të ofertave është kryer nga personat nën hetim G. N. dhe L. S. dhe jo nga anëtarët e NJP dhe KVO-së, duke kryer një procedurë fiktive, të organizuar dhe ekzekutuar nga personat nën hetim G. N. dhe L. S., dhe duke kualifikuar O.E. të paracaktuara dhe me oferta më të larta financiare”, sqaron SPAK.
Tashmë dy zyrtarët janë arrestuar dhe me urdhër të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Policia Gjyqësore pranë Policisë së Shtetit ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe zyrat e tyre.
Në korrik të këtij viti në pranga ka rënë dhe kreu i bashkisë Fatos Tushe dhe disa zyrtarë të tjerë, të cilët akuzon se kanë favorizuar një kompani për marrjen e tenderit për kanalin vaditës.