Ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli ka deklaruar në emisionin Publikisht në RTSH se nuk ka zgjedhur të shkojë në dy kuvendet e Partisë Demokratike as për Bashën dhe as për Berishën, por për demokratët. Kadilli rtha se PD po ndahet për të kontrolluar pallatin e opozitës, por kjo e vështirëson akoma më shumë rrugën për të marrë pushtetin.
“Nuk kam asnjë informacion si do zhvillohet referendumi. Nuk kam shkuar as për zotin Berisha dhe as për zotin Basha. Kemi dy parti. PD po ndahet për të kontrolluar pallatin e opozitës. Këta duan të kompromentojnë demokracinë. Duhet t’i themi jo kryetarit. Kemi ende një mundësi për ta mbajtur partinë të bashkuar. Partia Demokratike nuk arriti dot ta sfidojë dot Ramën sepse nuk e gjen dot gjuhën e shoqërisë. Dy copat do jenë akoma më keq”, deklaroi Kadilli.
Ai tha se nga verifikimi në lidhje me firmat e mbledhura nga Berisha ka konstatuar që në katër degë kishte mbivendosje firmash. Kadilli theksoi se sot Basha i kërkon llogari Berishës për 21 Janarin, në një kohë kur ka qenë vetë ministër i Brendshëm.
“Demokracia nuk mund të jetë procedurë. Dy palët kanë zgjedhur ta mohojnë ekzistencën e njëri tjetrit. Po flasim për dy njerëz që ishin hije të njëri-tjetrit. Basha i kërkon llogari Berishës për 21 Janarin ku ai vetë ishte ministër i brendshëm. Të dy palët kanë vënë një perde para syve dhe nuk marrin përsipër të shohin kundërshtarin. Nuk është gara se kush do mbledhë më shumë. Janë demokratë të PD.
Gjëja më e rëndë ishte kur vetëm 5 metra ndante një sallë nga një sallë. Berisha është revolucionar dhe kur niset të përmbysë e mohon ekzistencën e institucioneve. Unë e them me siguri të plotë që në katër degë të mëdha ka mbivendosje firmash. Demokratët nuk dinë ta gjejnë përgjigjen e kësaj që po ndodh. Këta kanë pushtet mbi piramidën e PD sepse këta kanë emëruar të gjithë postet e rëndësishme në parti. Të dy kryetarët janë fajtorë. Një nga gabimet e rënda që bën Basha është se duke asociuar gjithçka me problemin personal të zotit Berisha, nuk shqetësohet për parime”, tha Kadilli.
Lidhur me qëndrimin e ambasadores amerikane Yuri Kim, Kadilli deklaroi se ka bindjen se kjo nuk është çështje personale, por e shtetit amerikan me atë shqiptar. “Nuk kam menduar kurrë që kjo është punë ambasadorësh. Partner ata kanë shtetin shqiptar dhe jo partitë politike”, u shpreh ai.
Çollaku: 18 Dhjetori mundësia e fundit që PD të mos ndahet
Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku ka zbuluar se ka qenë pro Kuvendit Kombëtar të 18 Dhjetorit në mbledhjen e kryesisë së partisë, për t’iu përgjigjur interesit të demokratëve. Ai u shpreh në Publikisht në RTSH se ka menduar se duke i dhënë përgjigje delegatëve që kërkonin të mblidhej Kuvendi, do arrinin të bënin bashkë demokratët.
“Filloi vala e mbledhjes së firmave nga Berisha dhe njerëzit e tij. Në fillim e bënë si referendum dhe pastaj rrugës ndryshoi. Në mbledhjen e kryesisë debati ishte nëse mbahet Kuvend apo nuk mbahet Kuvend. Kuvend do mbahej sepse statuti e thotë që ¼ mbledh kuvendin. Një pjesë thonin çfarë bëri ky me kuvendin. Kam votuar që të mbahet kuvendi sepse mendoja se duke i dhënë përgjigje asaj kërkese Kuvendin, kishim gjetur një mënyrë për të bashkuar palët. Kur kemi kërkuar firmat, firmat nuk janë dorëzuar. Mbaheshin në zyrën e Palokës”, deklaroi ai.
Sipas tij devijimi nga procedura e rregullt tregon ose se demokratët e Berishës nuk i kanë firmat e mjaftueshme për të mbledhur Kuvendin, ose kanë qëllim për të krijuar strukturë paralele pa përmbushur qëllimin e atyre që kanë firmosur.
“Kuvendi erdhi si reagim i kryesisë. Në përgjigje të kërkesë së firmave erdhi përgjigja nga kryesia. Statuti kërkon që të verifikohen firmat. Pse u devijua? Devijimi ndodhi i qëllimshëm. Kur u kërkua depozitimi i firmave thanë se firmat nuk dorëzohen. Ose nuk kanë firmën, ose nuk kanë asnjë interes të përmbushin firmat e atyre që kanë firmosur ose për të krijuar një parti dhe strukturë paralele. Ka një moment për të provuar kush është shumica. Në datën 18 delegatët e Kuvendit të Berishës mund të vijnë”, shprehet Çollaku.
Lidhur me Kuvendin e datës 18 Dhjetor, ai thotë se kjo është e vetmja mundësi që Partia Demokratike të mos ndahet pa krijuar struktura paralele, ndërsa shton se më pas duhet të ketë korrigjime të PD dhe reflektim për këtë që po ndodh.
“Janë duke u dhënë dora e fundit. Kuvendi pritet të jetë masiv. Mendoj që është mundësi e mirë dhe mbase është mundësia e fundit që PD të mos ndahet. Ata delegatë që kanë firmosur ndershëm për datën 11, kanë një mundësi të vijnë në datën 18. Nëse vazhdojmë me struktura paralele, mjerisht mund të shkojmë drejt ndarjes. Duhet të ketë korrigjime të PD dhe reflektim për këtë që po ndodh. Unë nuk vij në këtë pozicion si tifoz. Jam i bindur për atë që po ndodh. Nuk ka lidhje me drejtimin e Bashës. Ajo që është tabu për mua është aksi pro perëndimor i Partisë Demokratike”, shprehet ai.