Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj kanë njoftuar sot se familjet me ndihmë ekonomike dhe pensionistët do të marrin shpërblim për fundvit.
Ky bonus solidariteti me një vlerë rreth 40 milionë dollarë do të jepet me rastin e festave për pensionistët, personat në ndihmë ekonomike dhe ata që janë pjesë e aftësisë së kufizuar.
“Qeveria ka marrë një vendim të rëndësishëm për paketën e solidaritetit. Shpërblimi i fundvitit për familjet në ndihmë ekonomike do të marrin shpërblim për fundvit dhe të gjithë ata përfitues të skemave të pagesës së aftësisë së kufizuar. Janë rreth 72 mijë individë. Fondi në dispozicion për këto kategori është 4 milionë dollarë, pa përfshirë këtu kategorinë e pensionistëve”, tha Manastirliu.
Ndërsa ministrja Ibrahimaj u shpreh: “Janë 668 mijë pensionistë që përfitojnë nga paketa e miratuar sot e cila arrin një vlerë prej 3.5 miliardë lekësh dhe 400 milionë lekë kategoritë e tjera. Janë rreth 40 milionë dollarë për pensionistët, personat me ndihmë ekonomike dhe ata me aftësi të kufizuar. Nga viti 2022, ky bonus do të bëhet pjesë e buxhetit”.