Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka në lidhje me çështjen e inceneratorëve të Elbasanit.
Gjatë seancës për masën e sigurisë, mësohet e Koka nuk i ka pranuar katër akuzat e SPAK për “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”. Ai ka thënë para gjyqtarëve se ka zbatuar dhe jo shkelur ligjin në lidhje me këtë çështje.
Seanca ka nisur në orën 11:15 minuta dhe në gjykatë, ish-deputeti është mbrojtur nga avokati Fatmir Braka. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, por në momentin e vendimit mediat u lejuan të ishin të pranishme.
Në vijim të akuzave, prokuroria thotë se Ministria e Mjedisit nën drejtimin e Kokës nuk ka kryer veprimet e plota përgatitore për dhënien e koncensionit. Sipas dosjes hetimore, SPAK ka konstatuar se është aplikuar procedura me negocim pa shpallje paraprake, kur këtë gjë e përjashton ligji.
Ish-deputeti akuzohet se ka marrë rreth 3.7 mln euro në mënyrë të paligjshme nga kompania koncesionare e incineratorit të Elbasanit, fonde që kompanitë i kanë marrë në buxhetin e shtetit.
Në kërkim për këtë dosje mbeten dy biznesmenët Stela Gugallja dhe Klodian Zoto që akuzohen se kanë lëshuar fatura fiktive me vlerë 3.7 milionë Euro për punime që nuk janë kryer asnjëherë në inceneratorin e Elbasanit.
Këto dy të fundit akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Me vendim gjykate, SPAK sekuestroi dy kompanitë dhe biznesin privat të ish-Ministrit, kantinën e verës në Rrashbull, Durrës, ndërsa hetimet vijojnë për personat e tjerë që dyshohet se janë përfshirë në këtë aferë.