SPAK ka vënë nën hetim ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Admir Thanza për dy akuza, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, ish-gjyqtarit i janë sekuestruar dy pasuri, një apartament dhe një garazh, pasi nuk i justifikonte me burime të ligjshme.
Thanza është shkarkuar nga Vettingu pikërisht për probleme me justifikimin e pasurisë. Po ashtu gjatë hetimit administrativ nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rezultoi që ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë të kishte fshehur edhe një dënim të marrë në Itali për vjedhje. Dënimi ishte me 40 ditë burg që më pas i ishte konvertuar.
Gjatë përballjes me KPK, ishte Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që e relatoi faktin që Admir Thanza ishte i dënuar në shtetin italian. Ai e ka pranuar si fakt por në atë kohë deklaroi se ka marrë përsipër dënimin për kunatën e tij. Thanza është gjyqtari i katërt që është nën hetim nga SPAK për fshehje të pasurisë.