Sport Klopp kundër Ligës së Kombeve: Kompeticioni më pa sens në futboll

Klopp kundër Ligës së Kombeve: Kompeticioni më pa sens në futboll

Më mirë Liga e Kombeve se ndeshjet miqësore? Jo! Jurgen Klopo, trajneri i Liverpool-it, është kundër Ligës së Kombeve, duke marrë në konsideratë intensitetin dhe frekuencën, me të cilën luhet në Premier Ligë dhe në Europë. Ai kërkon më shumë kohë që të punojë në qetësi me ekipin.

Me krijimin e Ligës së Kombeve, miqësoret janë “institucionalizuar” dhe pauza nuk është më një pauzë. Lojtarët që shkojnë në ekipet kombëtare duhet të luajnë dhe kjo kërkon një lloj impenjimi fizik dhe psikologjik, prandaj dhe Klopp është kategorikisht kundër Ligës së Kombeve.

“Kohë pushimi? Tani lojtarët shkojnë në ekipet kombëtare për Ligën e Kombeve, që është kompeticioni më pa sens në botën e futbollit“, – thotë Klopp dhe ky mendim sigurisht që nuk do t’i pëlqejë UEFA-s.

“Është momenti të mendojmë pak më shumë për futbollistët. Unë duhet të telefonoj trajnerët e të gjitha kombëtareve të djemve të mi dhe t’u kërkoj atyre, nëse është e mundur, t’i kursejnë. Dhe ata do të më përgjigjen se nuk munden, sepse kanë shumë presion“, – shton më tej Klopp. Sipas trajnerit gjerman, Liga e Kombeve krijon më shumë probleme se të mira.

Ndërkohë, falë suksesit 3-1 të marrë mbrëmjen e së enjtes kundër Newcastle, Të Kuqtë jo vetëm kanë marrë tri pikë të arta, por kanë vendosur edhe një rekord të jashtëzakonshëm për futbollin anglez. Të Kuqtë janë bërë skuadra e parë e Premier League që arrin shifrën e pabesueshme të 2.000 fitoreve.