Nëse Rusia sulmon Ukrainën, lufta mund të shpërthejë edhe në Ballkan. Paralajmërimi vjen nga ministrja ukrainase për çështjet e veteranëve Julia Laputina, ish-oficere e zbulimit ushtarak të këtij vendi dhe njohëse e mirë e taktikave ushtarake të Rusisë, e cila paralajmëron përmes këtij skenari Perëndimin, për shpërthimin e Luftës së Tretë Botërore.
“Nëse Rusia na sulmon, duhet bërë kujdes edhe me Ballkanin. Shihni ç’po bëjnë rusët aktualisht në Serbi. Ata po përpiqen të provokojnë tensione në Ballkan dhe kjo na sjell në kujtesë se si filloi Lufta e Dytë Botërore”.
Shenjat që vërtetojnë paralajmërimet e ministres ukrainase vijnë nga Bosnja. Rajoni autonom i serbëve ka nisur një proces shkëputjeje nga ky vend, i mbështetur edhe nga Serbia. Një ndër hapat është edhe përpjekja për të krijimin e një ushtrie më vete, përmes shkëputjes së trupave të tyre nga forcat e përbashkëta të armatosura të Bosnje-Hercegovinës.
Rusia kërkon nga Perëndimi, nënshkrimin e një pakti që garanton se Ukraina nuk do të antarësohet në NATO. Por Presidenti amerikan Joe Biden refuzon. Nëse sulmohet Ukraina, Bashkimi Europian ka kërcënuar Moskën me sanksione të paprecedenta, prej të cilave ekonomia dhe shoqëria ruse do të kenë pasojat më të rënda në histori.