Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pranoi se gabimi i tij më i madh ka qenë lejimi i dualizmit në drejtimin e PD-së.
“Mendësitë komuniste janë një mall toksik, ato nuk mund ta shoqërojnë nga një dekadë në tjetrën drejtimin politik të partive dhe të vendit, nuk mund t’i shartohen kaq gjatë demokracisë. Sepse kjo është mënyra për ta vrarë demokracinë. Ndaj, edhe gabimi im më i madh është mbajtja, apo lejimi i dualizmit në drejtimin e PD-së. Dualizmit në perceptim dhe dualizmit real, kur ish-kryetari e bëri funksion de facto dublimin e kryetarit, e bëri rutinë hijezimin e kryetarit me protagonizmin e tij”, u shpreh Basha.
“Faktet janë me qindra dhe mijëra. Kushdo i ka parë. Kjo histori nuk ndaloi tetë vjet me radhë. Është përgjegjësia ime që nuk kam mundur ta zgjidh në kohën e duhur këtë nyje gordiane. Berisha nga ana tjetër, ka qenë i njoftuar se protagonizmi i tij është një barrë për rritjen dhe fitoren e Partisë Demokratike. Megjithatë, unë u kërkoj sot ndjesë demokratëve, me bindjen se ata kanë një ide të qartë për hezitimin tim, që ka qenë edhe hezitimi i shumë prej tyre”, shtoi kreu demokrat.
Sipas tij, “njohja e gabimeve është premisa e korrigjimit të tyre”.
“Në këtë kuvend të lirë, unë mbaj shënim me respekt për gabime të tjera nga diskutimet tuaja. Dua të nënvizoj se kapërcimi i dualizmit përbën zgjidhjen e një prej nyjeve të krizës për të cilën po flasim. Sot, partia ka një kryetar dhe ajo duhet të ketë gjithnjë një kryetar”, nënvizoi Basha.
“Sovranizmi predikohet nga ata që janë shpallur “non grata” dhe ata që presin të shpallen. Do e shkërmoqim trekëndëshin e Bermudës”
Kreu demokrat, Lulzim Basha, ka shigjetuar edhe ata që po përdorin sovranzimin, duke theksuar se kjo po predikohet për të zhvlerësuar shpalljet non grata dhe politikën amerikane. Sipas tij, ky është synimi atyre që janë shpallur non grata dhe atyre që presin të shpallen non grata.
“Shumë po spekulohet këto kohë me sovranizmin, duke riciklikuar koncepte enveriste dhe populiste, të cilat shqiptarët i kanë vuajtur në kurriz si asnjë popull tjetër, dhe e dinë mirë që për ne sovranizëm përkthehet në vetmi, izolim dhe varfëri. Sovranizmi i këtyre zotërinjve nuk mund të jetë ai që ishte në Shqipërinë e mbyllur. Por pika ku takohen këta me të shkuarën komuniste është një: Përdorimi i sovranizmit për pushtetin e tyre personal, duke u dhënë partnerëve mesazhin “na lini në punën tonë” dhe duke shpresuar se kështu mund të manipulojnë me ndjenjat atdhetare të shqiptarëve që Shqipërinë e kanë mbi gjithçka. Por demokratët dhe shqiptarët e dinë mirë se Shqipëria dhe Kosova janë të pavarura dhe sovrane etëm brenda familjes euroatlantike. Sovranizmi që po predikohet këto kohë, është në fakt mburoja për zullumet e atyre, që kanë për qëllim të zhvlerësojnë shpalljet non grata, politikën amerikane, që tani është politika e gjithë vendeve të NATO-s kundër korrupsionit, minimit të demokracisë dhe pandëshkueshmërisë. Ky është synimi atyre që janë shpallur non grata dhe atyre që presin të shpallen non grata”.
Basha theksoi se Partia Demokratike është e vendosur për shkërmoqjen e trekëndëshit të Bermudës.
“I ashtuquajturi sovranizëm i kastës 30-vjeçare, i mbështetur fuqishëm nga oligarkët dhe mediat e tyre, është kundër këtij roli të ndërkombëtarëve sepse ata duan të jenë rehat, të shijojnë siç kanë shijuar, të pasurohen me korrupsion siç janë pasuruar, të mbajnë në këmbë sundimin e tyre në kurriz të shqiptarëve që vetëm varfërohen. Demokratët, ashtu si shumica dërmuese e popullit shqiptar, e duan dhe presin një rol edhe më aktiv të SHBA e partnerëve europianë kundër korrupsionit, që është plaga më e madhe sot për vendin. Partia Demokratike është e vendosur në shkërmoqjen e trekëndëshit të Bermudës dhe prodhimit të saj të fundit politik, regjimit të Edi Ramës përmes masakrës zgjedhore”.