Lulzim Basha ka mbajtur një konferencë për shtyp pas mbylljes së mbledhjes së kryesisë së PD-së.
Basha falënderoi “5400 delegatët që në Kuvend, përtej çdo presioni, vendosën të mbyllin një kapitull me të shkuarën, duke ecur përpara. Sot mbarë shqiptarët panë si demokratët zgjedhin me fisnikëri rrugën e të ardhmes. Ka vetëm një PD”.
Kreu i PD-së deklaroi se sot “PD është pastruar nga hijet e të kaluarës. Jemi e para parti që jetësojmë aleancën me qytetarët si institucion për të nxjerrë vendin nga kriza, jo vetëm me largimin e klikës që po varfëron shqiptarët, por edhe me reforma që do të zgjidhin problemin e korrupsionit dhe lidhjes së politikës me krimin”.
“Kushtetuta jonë, statuti, i votuar edhe me votat e Berishës, parashikon qartë që sot ka ndodhur vetëm një aktivitet politik i PD, Kuvendi Kombëtar. Gjithçka tjetër mund të ketë qenë mirë për njerëz që kanë dashur të shprehin ndonjë mendim, ka pasur edhe një dëm, pasi dikush ka hipur në makinën që PD merr me qira për kryetarin. Por janë dëme kolaterale. Të thërrasësh referendum për të hipur në pushtet dhe të hipësh në veturën e kryetarit të PD, është talllje për demokratët. Sot PD pati vetëm një aktivitet, vendimet janë të qarta”, u shpreh Basha, duke iu referuar Jamarbër Malltezit, dhëndrit të Berishës që u pa sipër automjetit të Lulzim Bashës, gjatë fjalimit të ish-kryeministrit në selinë e PD-së.
Lulzim Basha tha se tashmë Sali Berisha është i përjashtuar nga grupi parlamentar i PD, për shkak të vendimit që u mor sot në kuvendin kombëtar. “A do të jetë anëtar? Kur të gjykohet që po dëmton rëndë interesat e partisë. Deri tani sjellja e tij ka qenë qesharake. Duhet të organizojmë të gjithë potencialin e jashtëzakonshëm për një beteje frontale me regjimin që ia ka bërë jetën ferr shqiptarëve, regjimin e Edi Ramës. Halli i Sali Berishës është halli i tij. Hallet e demokratëve, që janë të njëjta me ato të shqiptarëve, janë të tjera. PD është një dhe bashkohet në një qëllim, largimin e Edi Ramës. Është dikush që ka diçka më të rëndësishme sesa kjo, veten e tij”, shtoi Basha.