Delegacionet e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut që do të marrin pjesë në takimin e Ballkanit të Hapur në Shqipëri, mbërrijnë sot pasdite në Tiranë. Sipas agjendës së publikuar të takimit, pas akomodimit në hotel në kryeqytet, kryeministri Rama ka ftuar Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev për darkë te “Fish City”, restoranti i peshkut në Elbasan ku u organizua edhe mbledhja e fundit mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.
Në tavolinën kryesore, sipas listës së publikuar në agjendën zyrtare, do të jenë Rama, Vuçiç dhe Zaev, si dhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, ajo e Bujqësisë, Frida Krifca, ministri serb i Bujqësisë, Branislav Nedimović, ministri serb i Financave, Siniša Mali, ministri i Financave të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski, dhe ministri i Bujqësisë së Maqedonisë së Veriut, Trajan Dimkovski.
Në darkë do të jenë të pranishëm gjithashtu krerët e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Ines Muçostepa, Marko Cadez dhe Antoni Peshev. Gjithashtu do të jetë i pranishëm edhe Jim O’Brien, këshilltar i lartë i Këshillit të Atlantikut dhe Alex Soros, nënpresidenti i Fondacionit Shoqëria e Hapur.
Të martën, palët do të ulen në tryezën e bisedimeve, ku përveç Ramës, Vuçiç dhe Zaev do të jetë edhe eurokomisioneri për Zgjerimit dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi dhe Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.