Aktualitet Eksplozivi në Vlorë, zbulohet skema e sofistikuar e atentatit ndaj 33-vjeçarit

Eksplozivi në Vlorë, zbulohet skema e sofistikuar e atentatit ndaj 33-vjeçarit

Pas një sërë ekzekutimesh mafioze me armë zjarri gjatë këtij viti, atentati ndaj Indrit Sadedinit ka risjellë modën e shpërthimeve me eksploziv.

33-vjeçari bënte një jetë të tërhequr, frekuentonte zakonisht vende ku pronarët ishin të njohur apo ishte në dijeni të personave që i frekuentonin. Makina e tij pozicionohej poshtë një këndi ku mund të kishin akses kamerat. Pikërisht, lëvizjet e kontrolluara të Sadedinajt i kanë nxitur atentatorët që të sofistikojnë mënyrën se si do të kryenin atentatin ndaj tij.

Policia lokale dyshon se 33-vjeçari është survejuar gjatë gjithë dhjetorit. Lëvizjet e tij të njëjta dhe oraret e tij të pandryshuara kanë bërë që atentatorët të ndërtojnë skemën e saktë për të vepruar ndaj tij. Dyshohet se në atentatin ndaj Sadedinajt kanë marrë pjesë më shumë se 3 persona (një që e ndiqte dhe jepte informacione dhe dy në automjetin që kreu shpërthimin).

Sipas bluve, ka pasur informacion të qartë që ai ishte nisur për në banesën e tij, pasi ai ka përshkruar rrethrrotullimin e Skelës me automjetin e tij të blinduar të tipit Porche. Gjatë kësaj kohe, kur Sadedinaj survejohej, atentatorët kanë qëndruar përpara banesës së tij me një automjet të cilin e kanë braktisur pas atentatit dhe tashmë të identifikuar nga policia.

Nga këqyrja e kamerave filmike, nga sedilja e pasme e automjetit ka dalë një i ri, i cili mbante një kapuç në kokë dhe nga kamerat e sigurisë dallohen shumë pak detaje të fytyrës. Ai ka vendosur një pako në vendin ku më pas ndodhi shpërthimi, ka hyrë sërish në automjetin ku gjendej edhe një person tjetër dhe është pozicionuar rreth 200 metra më poshtë, kënd nga ku kishte fushëpamje për të telekomanduar në kohë shpërthimin.

Ata kanë vepruar sapo dera e garazhit është mbyllur dhe Sadedinaj i është afruar bordurës së trotuarit. Automjeti është larguar menjëherë nga vendngjarja qetësisht. Asnjë nga dëshmitë e familjarëve të tij nuk ka mundur të hedhë dritë mbi ngjarjen.

Policia shkencore është duke punuar aktualisht për ndërtimin e një identikiti të autorit dhe po punon për sekuestrimin e kamerave të sigurisë, për të ndërtuar itinerarin e lëvizjeve të Sadedinit në tri ditët e fundit.

33-vjeçari është tashmë jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Traumës, pas një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale.

Burimi: A2 CNN