Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalën e mbajtur para protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë tha se kjo protestë është kundër projektit Open Balkan, që sipas tij kërkon të kthejë hegjemoninë serbe në Ballkan.
“Ngrihemi në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, jemi mbledhur të protestojmë kundër projektit fantazmë të aleancës Beograd-Tiranë-Shkup. Dua të garantoj shqiptarët se kjo nuk është një protestë kundër bashkëpunimit rajonal. Kjo është një protestë kundër një projekti që është refuzuar nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova. Një projekt që nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon”, tha Berisha.
“Ne jemi kundër këtij projekti sepse historia ka faktuar se një nga dështimet më të mëdha në Ballkan në botë dhe Europë ka qenë ideja e hegjemonizmit serb në Kosovë. Jemi kundër këtij projekti sepse bie ndesh në mënyrë flagrante me interesin tonë kombëtar. Në fillimet e tij ky projekt rindërtoi hartat e rajonit duke fshirë Kosovën si shtet i pavarur. Në fillimin e tij vuri si maskë Minishengenin për të mashtruar vendet e Ballkanit. Më vonë projekti mori emrin Ballkani i Hapur për të nderuar autorin apo propagandistin e “Shoqërisë së Hapur” i cili nuk ngurronte të promovonte ndarjen e Kosovës mbi bazën e linjave etnike të pastërta“, tha Berisha.
Sipas ish-kryeministrit Berisha, me Open Balkan Vuçiç dhe Rama kanë rrethuar Kosovën dhe kërkojnë të asgjësojnë pavarësinë e saj
“Miqtë e mi, sot ne protestojmë si shqiptarë në këtë shesh sepse “Miniballkani i Hapur” është hapur me të cilin Vuçic dhe Edi Rama kanë rrethuar Kosovën në një darë armiqësore dhe kërkojnë të asgjësojnë pavarësinë e saj.
Një përpjekje aventuriere për të asgjësuar nismën e Berlinit dhe integrimit në BE. I them Vuçiç se nuk do jesh kurrë i mirëpritur në Tiranë, sepse lordi yt është Moska, prapa nismës tënde qëndron përpjekja për ta shndërruar këtë zonë në zonë influencë të Putinit”, tha Berisha.
Ai tha kjo nismë do të hidhet poshtë sapo demokratët të vijnë në pushtet.
“Në emër tuajin dua të deklaroj se Ballkani i Hapur do të hidhet poshtë me të gjitha aktet sa PD të jetë në pushtet. Ballkanin e Hapur treshja Vuçiç dhe vasalët e tij përpiqen ta paraqesin ndonjëherë edhe si politikë që e mbështesin SHBA. E vërteta është që ky është një mashtrim. SHBA mbështesin bashkëpunim midis vendeve të barabarta dhe jo midis vendeve të panjohura, vendeve të nënshtruara”, tha Berisha.