Bota Varjet e para pas dy viteve në Japoni, Qeveria: Ekzekutimet, të domosdoshme...

Varjet e para pas dy viteve në Japoni, Qeveria: Ekzekutimet, të domosdoshme për të eliminuar “krimet e rënda”

Japonia ka ekzekutuar me varje tre të burgosur, pas dy vitesh pa asnjë ekzekutim.

65-vjeçari Yasutaka Fujishiro u var për vrasjen e hallës së tij 80-vjeçare, dy kushërinjve dhe 4 personave të tjerë, në një masakër që e kreu me çekiç dhe thikë, në vitin 2004.

54-vjeçari Tomoaki Takanezawa dhe 44-vjeçari Mitsunori Onogawa u varën gjithashtu, pasi kishin vrarë dy persona në një sallë videolojrash, në vitin 2003.

Qeveria e Japonisë i justifikoi dënimet me vdekje, duke thënë se janë të domosdoshme në mënyrë që të mos ketë më “krime të rënda” në vend: “Duke parë krimet e tmerrshme që po ndodhin herë pas here, është e nevojshme që të ekzekutohen ata që bëjnë krime shumë të rënda. Është e papërshtatshme heqja e dënimit me vdekje”.

Japonia është një nga të paktat vende të zhvilluara që nuk e ka hequr dënimin me vdekje dhe aktualisht janë rreth 100 të burgosur në pritje të ekzekutimit. Pothuajse të gjithë janë shpallur fajtorë për vrasje masive.