Socialdemokratja Franziska Giffey, ish-ministrja gjermane e Familjes, është gruaja e parë që merr postin e kryebashkiakes së Berlinit, pas votimit nga delegatët e qytetit.
Franziska Giffey u betua gjatë së martës (21.12) para parlamentit të Berlinit, pasi u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve. Vendimi e bën udhëheqësen rajonale të Social Demokratëve (SPD) në Berlin, kryetaren e parë grua të qytetit. Kryetari i senatit, Dennis Buchner, tha se 84 deputetë kishin votuar pro Giffey, ndërsa 52 votuan kundër dhe dy abstenuan.
Giffey, e cila shërbeu si ministre e Familjes deri në dorëheqjen e saj në maj të këtij viti, kishte nevojë për të paktën 74 vota për t’u zgjedhur. Tashmë ajo kryeson qeverinë e landit të kryeqytetit gjerman, e cila përbëhet nga një koalicion mes SPD-së, të Gjelbërve dhe Partisë së Majtë, koalicion që së bashku ka 92 deputetë.
Giffey dha dorëheqjen nga qeveria e fundit e ish-kancelares Angela Merkel, pas akuzave për plagjiaturë në tezën e saj të doktoraturës. Më vonë asaj iu hoq doktoratura. Përpara se t’i bashkohej qeverisë kombëtare në vitin 2018, Giffey ishte më së shumti e njohur si kryebashkiake e qarkut Neukölln në Berlin.
Strehimi, prioriteti kryesor
Në detyrën e saj të re, Giffey ka identifikuar si prioritet kryesor çështjen e strehimit. Rritja e çmimit të qirave në Berlin është një nga temat më të debatuara. Qeveria e Giffey do të duhet të vendosë se si të veprojë në lidhje me rezultatin e një referendumi jodetyrues në shtator, në të cilin votuesit mbështetën idenë që qyteti të shpronësojë rreth 240.000 apartamente nga pronarët e korporatave. Rreth 56% e atyre që votuan ishin në favor të marrjes së masave kundër kompanive të pasurive të paluajtshme, që menaxhojnë më shumë se 3.000 prona. Giffey është shprehur fuqishëm kundër shpronësimit. Vendimi, i votuar të shtunën (18.12) nga delegatët në një konferencë të partisë në pushtet, e vë SPD-në kundër dy partnerëve të saj të vegjël të koalicionit në qeverinë e Berlinit.
Të tria palët nënshkruan të martën (21.12) një udhërrëfyes, duke bërë thirrje për një “partneritet publik privat për ndërtime të reja dhe strehim të përballueshëm”. Ndërsa Giffey është gruaja e parë që zgjidhet si kryetare bashkie e Berlinit, Louise Schroeder e SPD-së ushtroi detyrën e kryetares së bashkisë nga maji 1947 deri në dhjetor 1948. Schroeder kish qenë më herët nënkryetare e bashkisë dhe u emërua në detyrë pasi paraardhësi i saj dha dorëheqjen menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.