Kryesore Skandali i publikimit të pagave, Basha kërkon dorëheqjen e Ramës

Skandali i publikimit të pagave, Basha kërkon dorëheqjen e Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat nga selia e PD-së, deklaroi se pas skandalit të publikimit të pagave, kryeministri Edi Rama duhet të jepte dorëheqjen.

“Ndërkohë që një ish-ministër i Ramës (Lefter Koka) është arrestuar për inceneratorët, ka plasur një skandal tjetër. Në çdo vend tjetër, kryeministri do të jepte dorëheqjen. Të dyja skandalet kanë vetëm një autor dhe një përfitues, e ky është Edi Rama. Ne e denoncuam se skandali i patronazhistëve ishte i rëndë pasi ishin vjedhur të dhëna sensitive, siç ishte edhe paga. Këto të dhëna iu vunë në dispozicion shtabit elektoral të Partisë Socialiste. Ky skandal është vetëm konfirmim i skemës kriminale të krimit elektoral”, tha Basha.

“Edi Rama e di këtë, prandaj dhe i mbrojti patronazhistët para, gjatë dhe pas fushatës. Patronazhistët janë ekspozuar si operatorë të Sigurimit të ri të Shtetit. Është skandaloze që ndodh sot sepse tregon shkallën e lartë që paraqet vendi ynë për të mbrojtur të dhëna sensitive; është skandaloze sepse vjen pas një sërë skandalesh të tjera që kanë ndodhur gjatë kësaj qeverisjeje”, shtoi Basha.

Sipas kreut demokrat, “Rama po përpiqet ta zvogëlojë këtë skandal, që cenon sigurinë personale dhe familjare”.

“Nuk është çështje teknike ose e një individi të caktuar. Nuk ka njeri që të ketë pasion që të ketë në USB pagat e mbi 600 000 qytetarëve. Ky është akt kriminal i urdhëruar, ku janë të përfshirë personat më të fuqishëm të politikës në vend. Kjo është çështje politike, ligjore dhe penale. Është çështje pushteti që lidhet personalisht me Edi Ramën, pjesë e skemës së patronazhimit për blerjen e mandatit të tretë”, theksoi Basha.