Politika “Rroga e Blushit, 240 milionë”, gazetari: Shifër tronditëse edhe si bonus, por...

“Rroga e Blushit, 240 milionë”, gazetari: Shifër tronditëse edhe si bonus, por tani Blushit i rrezikohet siguria”

Gazetari i njohur Mero Baze mendon se skandali i publikimit të pagave, përveçse krijon mungesë të thellë besimi tek shteti, është edhe një përpjekje për të denigruar mijëra njerëz të sektorit privat, që marrin paga të larta.

“Fakti që të gjithë ju turrën disa gazetarëve apo menaxherëve me paga anormale, tregon se skandali ka pasur dhe një prapavijë politike, për të nxitur një linçim ndaj tyre.

Me disa prej tyre dhe po spekulohet, dhe pse jo mund të shkaktojë probleme për sigurinë e tyre.

Fjala vjen, paga e Ben Blushit prej 240 milionë lekë të vjetra në muaj, trondit çdo njeri që e dëgjon, por në fakt ka qenë bonusi vjetor i marrë në muajin janar të këtij viti. Nuk është normal as si bonus, pasi është gati sa paga vjetore e presidentit të SHBA, por këto janë marrëdhënie kontraktuale brenda kompanisë” – shkruan Baze.

Analisti është kundër justifikimeve të AKSHI për skandalin dhe shkruan se qeveria shqiptare duhet t’i kërkojë urgjent Gjykatës së Lartë në Shqipëri apo Gjykatës Kushtetuese, ta shpallë antiligjore botimin e tyre në shtyp dhe rrjetet sociale, pasi rrezikon sigurinë e qytetarëve.

“Deklaratat qesharake se ai është dokument ilegal, apo broçkulla të tjera, janë thjesht justifikime të një administrate të papërgjegjshme.

Kjo është goditja më e rëndë që serioziteti i shtetit shqiptar ka marrë prej vitit 1997, kur letrat e shtetit dolën rrugëve, por jo në këtë masë dhe me kaq lehtësi, sa të jep shansin teknika digitale, – shkruan ai.