Kompania hungareze, 4iG, është drejt blerjes së dytë në tregun shqiptar të telekomunikacioneve. Vetëm pak javë pasi zyrtarizoi marrëveshjen për blerjen e Albtelecom, 4iG është shumë pranë blerjes së operatorit të dytë më të madh të telefonisë celulare, ONE Telecommunications. Kompania ONE ka njoftuar stafin e vet se janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për shitjen tek hungarezët. Në njoftimin e brendshëm, aksionerët e kompanisë shpjegojnë edhe arsyet pse vendosën ta shesin kompaninë, vetëm dy vjet pasi e blenë nga grupi OTE/Deutsche Telekom.
“Kompanitë shiten dhe blihen për dy arsye: sepse janë në gjendje të keqe ose sepse janë të sukseshme. Ne e blemë kompaninë në një gjendje jo të mirë dhe po e shesim në një gjendje të jashtëzakonshme, si nga ana operative, ashtu dhe nga ana financiare. Këtë vlerësuan edhe blerësit dhe jemi të bindur se do të vazhdojnë ta vlerësojnë edhe më tej. Transaksioni do të krijojë një grup të fuqishëm në tregun shqiptar,” thuhet në komunikimin e brendshëm të ONE.
Kompania ONE (ish-Telekom Albania) u ble në fillim të vitit 2019 nga konsorciumi Albania Telecom Invest (ATI) për shifrën e 50 milionë eurove. Fillimisht, konsorciumi përbëhej nga biznesmeni bullgar Spas Rusev dhe biznesmeni shqiptaro-bullgar, Elvin Guri. Vitin e kaluar, Elvin Guri bleu shumicën e aksioneve në konsorcium, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve të Spas Rusev u ble nga Atanas Dobrev, CEO i kompanisë bullgare të telekomunikacioneve Vivacom.
Në fillim të këtij muaji, 4iG njoftoi zyrtarisht marrëveshjen për blerjen e 80.27% të aksioneve të kompanisë Albtelecom, që zotëroheshin nga konsorciumi turk CETEL.
Shitja e dy prej kompanive më të mëdha të telekomunikacionit brenda një kohe të shkurtër po shtron perspektiva të reja për tregun e telekomunikacioneve në Shqipëri dhe në veçanti për atë celular. Nëse shitja e Albtelecom dhe ONE te 4iG do të miratohet nga autoritetet shqiptare, numri i operatorëve celularë në treg do të ulet në dy, nga tre që janë aktualisht. Me blerjen e Albtelecom dhe ONE, operatori i ri i kontrolluar nga 4iG do të bëhej operatori më i madh në treg sipas numrit të përdoruesve aktivë.
Në fund të tremujorit të tretë 2021, ONE kishte pothuajse 1.1 milionë përdorues aktivë ose rreth 41% të totalit. Ndërkohë, operatori i tretë, Albtelecom, në fund të shtatorit kishte një pjesë tregu të qëndrueshme në nivelin 16%. Të marra së bashku, pjesa e tyre e tregut, sipas përdoruesve aktivë, do të arrinte në 57%, ndërsa Vodafone do të ngelej ndjeshëm mbrapa, me 43% (gjithmonë sipas shifrave të tremujorit III 2021).
Grupi hungarez 4iG po ndjek një startegji të shpejtë ekspansioni në tregjet e Europës Qendrore dhe Lindore. Këtë muaj, 4iG mori edhe miratimet e fundit rregullatore për blerjen e operatorit më të madh në Mal të Zi, Telenor Montenegro. Zgjerimi i 4iG po mbështetet edhe nga hyrja e një aksioneri të ri, prodhuesit gjerman të armëve Rheinmetall, që do të blejë 25% të aksioneve të kompanisë që zotërohet nga biznesmeni hungarez.
Burimi: Monitor