Aktualitet Skandali i pagave, Elisabeta Imeraj flet për hetimet: Do të kemi një...

Skandali i pagave, Elisabeta Imeraj flet për hetimet: Do të kemi një autor

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, u pyet këtë të premte nga gazetarët në lidhje me publikimin e databazave me të dhënat për pagën, numrat e telefonit dhe targat për qytetarët shqiptar.

Imeraj tha se po kryhen veprimet e nevojshme dhe të duhura hetimore dhe normalisht që do të ketë një autor për këtë rast.

“Duke qenë se është çështje sensivite dhe për shkak të vëmendjes së shtuar jo vetëm të gazetarëve, por edhe të opinionit publik në tërësi Prokuroria e Tiranës po kryen çdo veprim të nevojshëm dhe të duhur hetimor brenda një kuadrati të lejuar nga ligji. Jemi të bindur që deri në fund të këtij hetimi, veprimet do të jenë intensive dhe do të konkludohet me vendimmarrje konkrete. Grupi hetimor është i përkushtuar në drejtim të kryerjes së veprimeve të duhura hetimore dhe normalisht që do të kemi autor. Do të keni një përgjigje sepse përgjigja e prokurorëve nuk është në komunikim zyrtar me konferenca për shtyp, por me konkludime dhe vendimmarrje”, tha Imeraj.

Drejtori i Policisë Kriminale, Tonim Vocaj, shtoi se “lidhur me këtë çështje foli prokurorja. Ne jemi përfshirë në grupin hetimor bashkë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe jemi duke kryer të gjitha veprimet e nevojshme qoftë me iniciativë, qoftë me urdhër të deleguara nga prokurorja. Më shumë detaje nuk mund t’ju japim për këtë hetim pasi është një grup i posaçëm hetimor që po merret me këtë çështje”.